Qeveria e Zoran Zaevit nuk mori votëbesimin pa praninë e opozitës në parlament. Opozita u largua pasi nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme. Tensionet politike janë rritur.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në mesnatë, konstatoi, se nuk është votuar mosebesimi i qeverisë dhe e deklaroi seancën të mbyllur. Në mungesë të deputetëve të opozitës maqedonase dhe shqiptare iniciator të mocionit, kryetari i Kuvendit Xhaferi i uroi qeverisë punë të mbarë. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe opozita shqiptare u larguan nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut para se të fillojë votëbesimi ndaj qeverisë pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota.
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandër Nikollovski tha, se Maqedonia e Veriut ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.
“Pamë se si regjimi është transformuar në regjimin më kriminal të parë ndonjëherë në Evropë dhe për këtë të gjithë do të mbajnë përgjegjësi, më shpejt sesa ata mendojnë. Një deputet u rrëmbye, telefonat celularë u konfiskuan nga ligjvënësit dhe të njëjtit u mbyllën në parlament që të mos kenë asnjë kontakt me jashtë dhe në këtë mënyrë ky pushtet në mënyrën më brutale shkeli mbi demokracinë”, u shpreh Nikollovski. Sipas tij Maqedonia e Veriut ka hyrë në krizë të thellë politike dhe të sigurisë ndaj zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kthimin e stabilitetit në vend. “Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e shpejta janë zgjidhja për dalje nga kriza politike, e sigurisë, ekonomike dhe energjetike. Pushteti ka humbur shumicën”, deklaroi Nikollovski.