Shqipëri, asnjë taksë për fermerët që bashkohen

Shqipëri, asnjë taksë për fermerët që bashkohen

Fermerët në Shqipëri që rrisin prodhimin e tyre duke u bashkuar me njëri-tjetrin nuk do të paguajnë asnjë taksë, pavarësisht volumit të prodhimit.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një anoncim, të cilin e ka cilësuar si historik nga ana e Ministrit të Financave, për prodhimin bujqësor që do të jetë një stimul i madh për fermerët.

“Javën e ardhshme anoncimi historik që do të bëjë Ministri i Financave për prodhimin bujqësor do të jetë një stimul i madh. Pasi do t’u themi fermerëve që bashkimi dhe rritja e prodhimit përmes bashkimit është një veprimtari ku qeveria nuk do të kërkojë asnjë taksë pavarësisht volumit të prodhimit. Gjë që deri tani ka qenë një pengesë e madhe historike dhe psikologjike për shkak se deri në një nivel të caktuar të prodhimit fermerët kanë operuar si biznes i vogël, pra pa taksë, pa TVSH dhe kur kalojnë atë atëherë detyrohen të futen në sistemin e TVSH, gjë që nuk e stimulon rritjen e forcës së përbashkët, ku kemi situata qesharake, ku edhe në familjen e pinorëve të ribashkimit pas ndarjes dhe thërmimit të kooperativave Dhimo Kotes, çdo anëtar familjeje ka një NIPT, domethënë që prodhimi ndahet mes anëtarëve të familjes që të ulet barriera në mënyrë që të mos futet në taksimin e verbër të ministrisë së Financave.

Rama theksoi se ky do të sjellë një hov të madh dhe beson se fermerët nga java e ardhshme do të ndihen njerëz të lirë për të qenë bashkë dhe nuk do kenë frikë të bashkohen duke qenë se duke rritur prodhimin e tyre do të duhet të paguajnë TVSH.

“TVSH është një instrument që do të përdoret në shitje, jo në prodhim”.

Duke folur për programin e stimulimit të agro-biznesit, kryeministri Rama tha se Ministria e Bujqësisë ka hartuar standardet për agro turizmin.

“Së shpejti në një konferencë publike do të prezantojmë kornizën brenda së cilës një veprimtari ekonomike quhet agro biznes duke nisur nga minimumi tek maksimumi dhe brenda këtyre standardeve çdo biznes që do të quhet agro turizëm do të marrë një certifikatë, me anë të së cilës do të marrë një sërë incentivash. Duam që të ketë me dhjetëra dhe me qindra në çdo qark agro biznese, ku familjet të dalin nga varfëria duke ndërtuar një agro biznes. Pas tre viteve të para secili që futet në këtë lloj biznesi do të jetë 10 vjet pa taksa”, tha ai.