“Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4.000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, transmeton Kosova Post.
Në Shqipëri ka mbërritur avioni i parë me 121 shtetas afganë, për të cilët është parashikuar që do të qëndrojnë përkohësisht në vend, shkruan AA.
Qytetarët afganë në mesin e të cilëve sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë janë edhe 11 foshnja, u pritën në qendrën e pritjes së përkohshme në zonën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, të cilët më pas vazhduan me procedurat e kontrolleve të tyre mjekësore dhe të tjera.
Qytetarët afganë janë pritur në aeroport nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Në një deklaratë nga aeroporti pas mbërritjes, ministrja Xhaçka tha se shqiptarët po tregojnë solidaritetin, mikpritjen dhe bujarinë.
“Ditë pas dite, na është dashur të përballemi me shtyrje, vështirësi të reja, pengesa të reja si pasojë e situatës së sigurisë. Prandaj sot jam aq e lehtësuar që më në fund avioni i parë arriti të ulet duke sjellë këtu një kontingjent të parë afganësh, burra, gra, fëmijë. Është vërtet një moment emocionues sepse çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë që shihni këtu sot, është një jetë e shpëtuar nga tmerri i luftës dhe i një regjimi që i sheh si armiq për t’u vrarë, për t’u persekutuar”, u shpreh Xhaçka.
Sipas saj, Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4.000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Këta pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO-s, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë me ne për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talebanëve, por të bënim çfarë mundeshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej ne vendin e tyre”, deklaroi Xhaçka.
Grupi i parë i shtetasve afganë do të strehohet nëpër hotele në Durrës. Sipas autoriteteve shqiptare, afganët e tjerë që pritet të vijnë në ditët në vijim do të strehohen përkohësisht në konviktet e Qytetit Studenti në Tiranë.