Në Bashkimin Europian po bëhen përpjekje maksimale që deri në fund të Qershorit të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për të dyja shtetet, çështja e hapjes së negociatave ka ngelur në Këshillin e BE-së ku Bullgaria ka bllokuar miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe si pasojë, disa shtetet tjera, nuk kanë dashur që të miratohet as ajo për Shqipërinë.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe rrugëdalje nga kjo situatë Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, AugustoSantos Silva, në emër të Presidencës së radhës së BE-së dhe Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësisë, OliverVerhelyi, të premten me 21 maj do të vizitojnë Sofjen dhe Shkupin.
Sipas njoftimeve nga presidenca portugeze, dy zyrtarët do të bisedojnë me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, si dhe kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi. Pastaj do të shkojnë në Shkup për të biseduar me presidentin e Maqedonisë së Veriut ku do të kenë biseda në nivel të njëjtë, me presidentin, Stevo Pendarovski, kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe të çështjeve europiane.
Burimet diplomatike nga disa shtete të rëndësishme të BE-së thanë se po bëjnë “përpjekje maksimale” për të nisur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se po synojnë si afat për këtë fundin e muajit Qershor, kur edhe mbaron mandati i presidencës portugeze të BE-së.
Ka pasur edhe ide që, nëse Bullgaria nuk heq veton për Shkupin, negociatat të hapen vetëm me Shqipërinë. Por, disa shtete, në këtë moment, nuk duan një skenar të tillë duke insistuar se të dyja shtetet, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian i kanë përmbushur të gjitha kriteret dhe me të dyja duhet të hapen negociatat.
Por, burimet diplomatike thonë se heqja e pengesave nga ana e Bullgarisë nuk është e lehtë pasi në këtë shtet pritet të zhvillohen edhe një herë gjatë verës zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në këto rrethana është edhe më e vështirë të arrihet ndonjë kompromis./KlanNews