Ka një sërë skenarësh të mundshëm, BBC rendit tre të tillë, transmeton Kosova Post.
1. Një raketë antianije e sjellë nga NATO dhe e lëshuar nga forcat ukrainase në Odessa, godet dhe fundos një anije luftarake ruse në Detin e Zi. Kjo do të shkaktonte humbjen e afro 100 ose më shumë marinarëve. Një numër i tillë vdekjesh në një goditje të vetme, do të ishte i paprecedentë dhe Putini do të përgjigjej në një formë.
2. Një sulm raketor strategjik rus synon një kolonë furnizimi me pajisje ushtarake që kalon nga një vend i NATO-s, si Polonia ose Sllovakia, në Ukrainë. Nëse do të kishte viktima në anën e kufirit të NATO-s, kjo potencialisht mund të aktivizonte nenin 5 të kushtetutës së NATO-s, duke e nxjerrë të gjithë aleancën në mbrojtjen e vendit të sulmuar.
3. Mes luftimeve të ashpra në Donbas ndodh një shpërthim në një objekt industrial që shkakton çlirimin e gazeve kimike toksike. Ndërsa kjo tashmë ka ndodhur, nuk ka pasur asnjë vdekje të raportuar. Por nëse do të shkaktonte viktima dhe nëse zbulohej se ishte shkaktuar qëllimisht nga forcat ruse, atëherë NATO-ja do të ishte e detyruar të përgjigjej.
Është krejtësisht e mundur që asnjë nga këta skenarë të mos realizohet. “Ajo që ne po përpiqemi të arrijmë është t’i japim Ukrainës çdo ndihmë që mundemi, përveç Luftës së Tretë Botërore. Problemi është se Putini është një lojtar pokeri më i mirë se ne”, thotë një nga oficerët ushtarakë më me përvojë të Britanisë, i cili kërkon të mos i përmendet emri. Deputeti britanik, Tobias Ellwood, është dakord me këtë ide. “Rusia e bën kërcënimin e përshkallëzimit në mënyrë shumë efektive. Edhe ne jemi të trembur. Kemi humbur aftësinë për të kontrolluar përshkallëzimin.”/KosovaPost/