Policia ka treguar se si ka arritur të ikë një person i kërkuar, derisa ishte ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut, për të cilin rast disa orë më herët u bë e ditur se u suspenduan tre zyrtarë policorë.
Përmes një komunikate për media, u bë e ditur se personi me iniciale M.R, mashkull serb, ishte në automjet së bashku me një udhëtar tjetër. Ndërkohë, ndërsa zyrtarët kufitarë e kanë ndaluar dhe kanë filluar procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të automjetit dhe personave brenda, ai është larguar me shpejtësi prapa në drejtim të territorit të Serbisë.
Derisa atyre iu kërkua që ta parkonin automjetin për të vazhduar me procedura, i dyshuari ka ikur dhe me këtë rast, zyrtarët policorë nuk kanë arritur ta ndalojnë.
Mediet raportojnë se bëhet fjalë për Milan Radojciqin.
Njoftimi i plotë:
Me datë 03.02.2022 në orët e pasdites, në pikë kalimin kufitar Bërnjak, nga drejtimi i Serbisë për të hyrë në Republikën e Kosovës, ka ardhur një automjet në të cilin kanë qenë personi M.R. mashkull serb së bashku me një bashkudhëtar.
Zyrtarët kufitar sipas detyrave dhe procedurave të kontrollit kufitar, kanë ndaluar automjetin dhe kanë filluar procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të automjetit dhe personave në automjet.
Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitar kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që të parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë.
Duke pasur parasysh pikën kufitare të integruar si pikë kufitare e përbashkët dhe mundësisë për të kaluar shpejtë në pjesën e Serbisë, zyrtarët policorë nuk kanë arritur që ta ndalojnë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka rekomanduar të iniciohet rasti pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës.
Me qëllim të hetimit të sjelljeve dhe veprimeve të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor për hetime dhe kompetencë të mëtejme.