Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani e ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës në lidhje me reciprocitetin e targave me shtetin serb. Sinani ka thënë se pret nga qeveria Kurti lehtësime për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Vendimi për reciprocitetin e targave me Serbinë të cilin qeveria e Kosovës ka filluar ta zbatojë nga dje pashmangshëm do t’i prekë edhe shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
“Mirëpresim çdo vendim që sovranizon Republikën e Kosovës, si masat e reciprocitetit lidhur me përdorimin e targave të përkohshme të shtetasve të Republikës së Serbisë. Procesi i fuqizimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës është në interes edhe të Luginës së Preshevës”, tha ajo.
Kryetarja e Preshevës u shpreh poashtu se pret nga qeveria që të aplikojë lehtësime për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës.
“Si i tillë, besojmë se edhe procesi i masave të reciprocitetit i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të shoqërohet ditëve në vijim me vendime në interes të Luginës e Preshevës. Në rastin konkret me vendime që do ta lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe të Luginës së Preshevës në Republikën e Kosovës”, tha ajo për express.
Lidhur me vendimin për reciprocitet të targave të përkohshme, deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi tha se faji për situatën e krijuar është në anën e Serbisë.