Lëvizja Studentore Studim Kritikë Veprim (SKV) përmes një aksioni simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës ka kërkuar që të vihet në funksion objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, përcjell KosovaPost.
Getoar Sylaj, nga kjo organizatë tha se objekti në fjalë ka filluar të ndërtohet qysh në vitin 2013 dhe duhet që të përurohej në vitin 2016.
Sipas tij, në tenderin prej 3.5 milionë eurosh ka pasuar keqpërdorime, ngase kompania ndërtuese është regjistruar një vit pasi filluan punimet
“Jemi mbledhur këtu për të shprehur pakënaqësitë tona lidhur me mosfunksionalizimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Objekti në fjalë ka filluar të ndërtohet në vitin 2013 dhe ende nuk ka përfunduar, me 4 korrik të atij viti është bërë nënshkrimi i kontratës sipas së cilës inaugurimi do të duhej të ndodhte në vitin 2016. Pra edhe muaj bëhen plotë nëntë vjet që ky fakultet është në ndërtim e sipër”.
“Është më se e qartë se në këtë tender prej 3.5 milionë eurosh ka pasur keqpërdorime e është bërë biznes që në fillim. Duket se mungesa e trasnparencës është prolongimi i financimit të objektit nuk është i rastësishëm”.
Madje ai thotë se kjo kompani ishte edhe më e shtrenjtë për mbi 60 mijë euro. Nga e gjithë kjo situatë shton po pësojnë më së shumti studentët të cilët po detyrohet që ushtrimet e ligjëratat t’i zhvillojnë në objekte të tjera që nuk ofrojnë kushtet e nevojshme.
Sylaj ka kërkuar që objekti të vihet në funksion sa më shpejt dhe që keqpërdoruesit të vihen para drejtësisë.