Sot do të jetë ditë zie në Kosovë, në nderim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare.
Me vendim të Presidentes Vjosa Osmani, flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.
Albright, e cila udhëhoqi diplomacinë amerikane gjatë luftës në Kosovë, konsiderohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që NATO të ndërhynte mbi caqet ushtarake e policore serbe – ndërhyrje kjo që çoi në çlirimin e Kosovës.