Midis 1.900 personave të evakuuar nga Afganistani, kishte familje spanjolle, diplomatë, punonjës afganë me familjet e tyre që bashkëpunuan me Spanjën, afganë të lidhur me SHBA-në, vendet e BE-së dhe NATO-n dhe OKB-në, transmeton Kosova Post.
Qeveria spanjolle njoftoi se sot ka përfunduar evakuimi i tyre nga Afganistani, me 1.900 persona deri më tani, shkruan AA.
Në një deklaratë me shkrim nga Kryeministria e Spanjës, thuhet se dy aeroplanë transporti ushtarak spanjollë të modelit A400M, të cilët kryenin evakuime nga Afganistani këtë mëngjes mbërritën në Dubai nga Kabuli dhe se evakuimet do të përfundojnë me një aeroplan që do të arrijë në Madrid në mbrëmje.
Në deklaratë thuhet se 81 ushtarë dhe diplomatë spanjollë, 4 ushtarë portugezë dhe 85 afganë që bashkëpunonin me vendet e NATO -s ishin me aeroplanin e fundit që erdhi në Madrid nga Afganistani.
Konfirmohet se midis 1.900 personave të evakuuar nga Afganistani, kishte familje spanjolle, diplomatë, punonjës afganë me familjet e tyre që bashkëpunuan me Spanjën, afganë të lidhur me SHBA-në, vendet e BE-së, NATO-n dhe Kombet e Bashkuara (OKB).
Në deklaratë gjithashtu thuhet se dy avionë A400M, të cilët u dërguan në Dubai dy javë më parë për evakuime, bënë 17 fluturime Dubai-Kabul-Dubai. Më tej thuhet se fluturimi Dubai-Torrejon de Ardoz (Madrid) u krye me A400M dhe 10 fluturime të tjera Dubai-Torrejon de Ardoz u bënë me charter të Air Europa.
Të paktën 90 persona, përfshirë 13 ushtarë amerikanë, u vranë dhe më shumë se 150 njerëz u plagosën në sulmet terroriste që ndodhën dje në rajonin e Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul të Afganistanit.
Pas këtij sulmi, shumë vende, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, njoftuan fundin e evakuimit të tyre nga Afganistani.