Spanja dështon edhe një herë, pas barazimit 0:0 me Suedinë, sonte luajti baras 1:1 edhe me Poloninë, në ndeshjen që u zhvillua në në stadiumin “de La Cartuja” në Sevilla.
Dy ndeshje dy barazime dhe Spanja rrezikon shumë, për faktin se patjetër i duhet fitorja në sfidën e fundit kundër Sllovakisë sikurse edhe Polonisë ndaj Suedisë që të kualifikohen në të tetën e finales së Kampionatit Evropian.
Spanja nuk realizon rastet dhe një penallti, Polonia me pikë të madhe.
Pjesa e parë u veçua me disa raste të mira, një Spanjë e mirë por edhe një Poloni e rrezikshme në momente të caktuara.
Në minutën e 25-të, zhbllokohet rezultati. Alvaro Morata nga afërsia shënon për 1:0 falë asistimit perfekt të Morenos. Fillimisht u akordua pozicion jashtë loje, por më pas ndërhyri VAR-i dhe goli u konsiderua i rregullt!
Në minutën e 35-të, Svidevski dështon nga një pozitë ideale.
Tre minuta pa përfunduar pjesa e parë, goditja e Svidevskit u ndal nga shtylla, teksa Lewandowski nga shumë pranë nuk arriti të realizonte, duke shpërdoruar një mundësi të artë.
Në minutën e 54-të, Robert Lewandowski dinak, kërcen më së larti dhe me kokë barazon rezultatin 1:1.
Në minutën e 57-të, Moreno u shndërrua në figurë tragjike të Spanja. Ai godet nga penalltia por shtylla e djathtë ia mohon golin, fat për Poloninë.
Morata në minutën e 79-të në pozitë shumë të mirë, por nuk befasohet portieri polak, Szczesny.
Në minutën e 83-të, Morata i pafat, nuk shënon nga një pozitë ideale. Spanjollët në pjesën e dytë përveç që humbën rastet, nuk e realizuan edhe penalltinë.
Suedia udhëheq në grupin E me 4 pikë, duke lënë pas Sllovakinë me 3, Spanjën 2 dhe Poloninë me 1 pikë.