Sot në ora 12:00 do të protestohet para Ministrisë së Arsimit, pas pas raportimeve se është sulmuar seksualisht një vajzë në një shkollë në Prishtinë.
Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Në thirrjen për protestë thuhet se ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave.
“Vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim seksual në shkolla, pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike. Andaj, nesër, në ora 12:00, mblidhemi pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të protestuar kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore”, thuhet në njoftim.
Protesta do t’i ketë tri kërkesa kryesore:
- Futja e edukatës seksuale në shkolla;
- Ambiente të sigurta për nxënëset/it;
- Punësimi i punëtoreve/ëve socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.
Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik.