Policia kufitare në veri të vendit është sulmuar sërish, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Policia ka konfirmuar se rreth orës 03:10 të mëngjesit kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet se janë nga mjete piroteknike, në Sharpej të Jarinjës.
Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Policia thotë se ka dyshime të bazuara se s mjetet piroteknike janë hedhur nga territori i Serbisë.
“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”.
Nga ky rast nuk ka as dëme materiale.
Policia ka thënë se po e trajton rastin dhe do të vazhdojë aktivitetet operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë./KosovaPost/