Pushtimi rus i Ukrainës është dënuar gjerësisht në botë, por një rrjet grupesh në Facebook, po përpiqet të ndryshojë perceptimet për liderin e Rusisë. Miliona njerëz kanë parë postimet që e portretizojnë presidentin Vladimir Putin si të qeshur, dashamirës dhe paqedashës. Këta mund të konsiderohen si superfansat e Putinit dhe BBC është përpjekur të kuptojë se nga veprojnë dhe çfarë bëjnë këto grupe.
Shifra të mëdha
BBC ka hetuar këto grupe të mëdha pro Putinit me ndihmën e studiuesve nga Instituti për Dialog Strategjik (ISD). Ekspertët e ISD identifikuan 10 grupe publike pro Putinit, me emra të tillë si “Vladimir Putin – Udhëheqësi i Botës së Lirë”. Grupet kanë më shumë se 650 000 anëtarë. Përmbajtja e tyre përfshin foto dhe mesazhe që lavdërojnë liderin rus, të shkruara në një sërë gjuhësh, duke përfshirë anglisht, rusisht, persisht dhe arabisht.
Jo vetëm që janë grupe të njohura, por edhe shumë aktive. Gjatë muajit të kaluar, studiuesit numëruan 16 500 postime, që morën më shumë se 3.6 milionë pëlqime dhe shpërndarje. Qëllimi kryesor i grupeve duket të jetë promovimi i Putinit si një hero që i qëndron përballë Perëndimit. Imazhet shpesh tregojnë liderin rus duke ecur me vetëbesim, duke mbajtur këlyshë, duke përshëndetur trupat ushtarakë apo duke luajtur me kafshë të egra, arinj dhe luanë. Këto grupe kanë fituar më shumë se 100 000 anëtarë të rinj që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt.
Shumë nga fansat e listuar si administratorë të grupeve, kanë llogari të kopjuara me të njëjtin emër. Studiuesit gjetën të paktën 100 llogari të tilla në rrjet, që në përgjithësi ndjekin njëra-tjetrën. Ata i administrojnë këto llogari pro Putinit së bashku me faqe të tjera që pretendojnë të jenë Federata Ruse ose shërbimet ruse të sigurisë, që qartazi janë false. Drejtimi i llogarive të dyfishta është një shkelje e rregullave të Facebook, thotë ISD.
Një ekzaminim më i afërt i disa prej administratorëve të grupit tregon një aktivitet të pazakontë. Një nga këta administratorë, quajtur “Marine”, mund të jetë me vendndodhje në Siri dhe përdor tri llogari të veçanta për të gjeneruar mbështetje për presidentin. Të tria llogaritë në arabisht, postojnë në të njëjtën kohë çdo ditë. Postimet shpërndahen gjerësisht në grupe të ndryshme. Për shembull, një llogari tjetër e listuar si e vendosur në Bullgari, postoi të njëjtin imazh të Putinit 12 herë në hapësirën e disa minutave.
Hasmik, nga Armenia, thotë se është gazetare dhe tani ndihmon në drejtimin e gjashtë grupeve pro-Putin. E pyetur se kush e ftoi ta bënte, ajo tha se ishin njerëzit që drejtonin grupet, por mohoi se ishte paguar për përpjekjet e saj.
Lidhje ruse?!
Është e vështirë të kuptosh motivet e njerëzve pas këtyre llogarive. Nuk ka asnjë lidhje të dukshme me qeverinë ruse, dhe ndryshe nga fushatat e tjera dezinformuese ruse, personat e përfshirë në këtë çështje nuk i fshehin qëllimet e veta. Gjithsesi, nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia që rrjeti të ketë disa lidhje me autoritetet ruse ose me elemente pro-Putin brenda Rusisë.
Shumë njerëz në mbarë botën tërhiqen nga Putin dhe këndvështrimi i tij antiperëndimor për botën. Facebook, thotë se ka politika kundër llogarive të rreme dhe ka pezulluar një numër llogarish bazuar në informacionet e dala nga raporti dhe hetimet e tyre. “Ne po vazhdojmë të ndërmarrim veprime të forta për të parandaluar përhapjen e dezinformatave në lidhje me krizën në Ukrainë”, thotë një zëdhënës i kompanisë mëmë Meta.
Llogari të rreme të Putinit
Putin është një nga liderët e paktë botërorë që nuk përdor mediat sociale dhe nuk ka asnjë llogari zyrtare në Facebook në emrin e tij. Ai thuhet se nuk ka as një smartphone. Sipas zëdhënësit të tij, Putin thjesht “nuk ka nevojë” për mediat sociale pasi ato “nuk i japin atij asgjë”.
Megjithatë, disa e kanë mbushur boshllëkun e lënë nga mungesa e tij në internet. Faqja në Facebook e shfaqur më lart ka më shumë se tre milionë ndjekës, por u mbyll menjëherë pas pushtimit në fund të shkurtit. Një numër i konsiderueshëm i ndjekësve të saj – më shumë se 700 000 – u bashkuan gjatë pandemisë, kur faqja fliste për vaksinat Covid të prodhuara nga Rusia. Kohët e fundit, faqja po postonte mesazhe që përforconin pikëpamjen e Kremlinit për luftën dhe shumë besonin se përmbante fjalët e vërteta të presidentit rus.
Menjëherë pas pushtimit, një postim në faqe deklaronte se qëllimi i “operacionit” ishte “paqeruajtja që synonte vetëm çmilitarizimin e një vendi fqinj”. Ky mesazh është shpërndarë dhe pëlqyer më shumë se 200 000 herë. Nuk dihet kush qëndron pas kësaj llogarie. Sipas seksionit të transparencës së faqes, njerëzit që e menaxhojnë atë janë të vendosur në Rusi dhe Letoni.
“Këto llogari mund të ndihmojnë që Putin të fitojë mbështetje publike në vendet e huaja për të ashtuquajturin operacion ushtarak në Ukrainë, përveç nëse hiqen nga platformat kryesore të mediave sociale.”
Nika Aleksejeva, studiuese në Laboratorin e Kërkimeve Ligjore Digjitale.
Sipas hulumtimeve, një llogari e rreme e Putinit, që postonte në arabisht, kishte paguar për reklama që synonin përdoruesit në disa vende, duke përfshirë Algjerinë, Libinë, Egjiptin, Jemenin, Marokun, Libanin dhe Tunizinë. Faqja kishte më shumë se një milion ndjekës, por që atëherë është fshirë. Një tjetër faqe e Putinit, me postime në arabisht, dikur drejtohej nga një njeri që është gjithashtu një fans i madh i liderit sirian Bashar al-Assad. Tërhoqi pothuajse një milion ndjekës përpara se të zhdukej së fundmi.A2CNN.