Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përkujtuar të martën në 10 vjetorin e vdekjes, aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Abrnor Deharin, transmeton KosovaPost.
“10 vite pa shokun dhe aktivistin shembullor Arbënor Dehari. Në historikun 19 vjeçar të Lëvizjes sonë qëndron angazhimi i pashoq i Arbënorit, aktivistit të pandalshëm në çdo organizim të saj. Ai ishte modeli i aktivistit modest e të vendosur, i cili ishte motiv për të gjithë ne, për shoqet e shokët e tij”, ka shkruar Sveçla.
Ai thotë se Arbënori do të kujtohet gjithmonë për guximin, dijen e vullnetin e tij, për angazhimin pa kursim për barazi, drejtësi e mirëqenie për të gjithë.
“Arbënor Dehari do të jetë përjetësisht udhërrëfyes në punën tonë të përditshme, në përpjekjet tona për qytetarët tanë e për ngritjen dhe forcimin e shtetit tonë”,ka shkruar Sveçla.
Arbnor Dehari ishte vëllai i Astrit Deharit, aktivistit tjetër të LVV-së, i cili i gjet i vdekur në rrethana të dyshimta në burgun e Prizrenit.