Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, ka thënë se për shkaqe të pandemisë nuk kanë mundur të jenë në Jerusalem në përurimin e Ambasadës së Kosovës në Izrael, përcjell Kosova Post.
Ai ka thënë se ishte paraparë vizita e ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla më 15 mars në Jerusalem, por ajo dha dorëheqje nga posti dhe nga AAK-ja, për shkak të pretendimeve që u ngritën për manipulim me vota.
“Njohja ndaj Izraelit ka qenë ndër njohjet më të rëndësishme që kanë ardhur përgjatë gjitha njohjeve. Nuk ka qenë proces i lehtë dhe si i tillë ka forcuar lidhjen tonë me Izraelin dhe subjektivitetin e shtetit tonë në rrafshin ndërkombëtar. Më 4 shtator ishte nënshkruar Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë. Qeveria e Kosovës është zotuar që të veprojë komfor Marrëveshjes. Gjatë kësaj kohe kemi punuar shumë që më 1 shkurt të nënshkruhet në një ceremoni solemne marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Më 10 shkurt është njoftuar zyrtarisht përmes një note verbale, MPJ-ja e Izraelit për lokacionin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Po në shkurt kemi emëruar të ngarkuarën me punë znj. Ines Demiri. Më datën 15 mars ishte paparaparë edhe vizita e ish-ministres Haradinaj-Stublla, për inaugurim, e cila për arsyet që dihen nuk mund të jetë atje. Për shkak të pandemisë ne vet nuk kemi mundur të jemi atje”, ka thënë Tahiri në konferencë për media. Kam autorizuar znj. Demiri të vazhdojë me planin e paraparë. Që sot zyrtarisht të hapet Ambasada në Jerusalem e të vazhdon angazhimin e saj diplomatik në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve e po ashtu në përfaqësimin e shtetit tonë”.
Nderkaq, ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stubulla, ka reaguar pas deklaratës së dhënë sot nga salla e konferencave se për shkak të pandemisë nuk ka qenë e mundur pjesëmarrja.
Hardinaj-Stubulla ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ku ka thënë se deklarata e MPJD se kinse për shkak të pandemisë nuk ka qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurim.
Ish-ministrja ka shkruar se e vërteta është që nuk kanë pasur guxim as vizion për t’a formalizuar këtë akt historik, e as për të punuar jashtë konturave personale për interes afatgjatë shtetëror.
Postimi i plotë:
“Është gënjeshtër e pastër deklarata e dhënë sot nga salla e konferencave në MPJD se kinse për shkak të pandemisë nuk paska qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurim.
E vërteta është që NUK kanë pasur guxim as vizion për t’a formalizuar këtë akt historik, e as për të punuar jashtë konturave personale/politike për interes afatgjatë shtetëror.
Kaq për tash.”