Të premten në Prishtinë është planifikuar organizimi i marshit, për solidarizim me popullin palestinez në Jerusalem.
Në njoftimin që është bërë në Facebook, nga organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, bëhet e ditur se marshi do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar prej orës 12.
Ky aktivitet të cilin po e organizon Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, sipas organizatorëve ka për qëllimin sokidarizimin me popullin palestinez i cili është duke u ballafaquar me spastrim etnik nga shteti i Izrealit.
“Aktualisht populli palestinez në Jerusalemin lindor është duke u ballafaquar me spastrim etnik nga shteti i Izrealit. Si pasojë e sulmeve dhe dhunës së përdorur nga autoritetet israelite vetëm përgjatë kësaj jave janë vrarë gjithësej 24 palestinezë, përfshirë këtu 9 fëmijë, duke lënë edhe qindra të lënduar. Përveç kësaj, dhuna sistematike është duke eskaluar edhe me dëbime dhe uzurpime të shtëpive të palestinezve në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e organizatës Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Tutje thuhet se “Shtypja dhe mbajtja nën dhunë të vazhdueshme e popullit palestinez nga Izraeli fashist është cënim i të drejtave fundamentale dhe lirisë së popujve kudo, andaj dhe duhet kundërshtuar në mënyrë universale nga të gjitha/ë ne. Andaj, ne do të ngrihemi kundër padrejtësive dhe dhunës shtetërore, kudo qoftë ajo. Në solidaritet me popullin palestinez dhe rezistencën e tyre”.
Sipas njoftimit Marshi mbahet të premtën në sheshin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 12:00.
Marshueset/it duhet të respektojnë udhëzimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin social gjatë marshimit.