Rusia ka dërguar dy aeroplanë bombardues në hapësirën ajrore të Bjellorusisë në kohën e rritjes së tensioneve të kësaj të fundit me Poloninë për krizën me emigrantë në kufirin e përbashkët, transmeton KosovaPost.
Ministria ruse tha se bombarduesit e tipit “Tu-22M3” e patrulluan hapësirën ajrore dhe ndihmuan në testimin e sistemit të përbashkët të mbrojtjes ajrore të Bjellorusisë e Rusisë.
Deklarata shtoi se bombarduesit u kthyen në aeroportin e tyre në territorin e Rusisë pas kontrollit.
Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë njoftoi se fluturimet e përbashkëta të forcave ajrore bjelloruse dhe ruse përgjatë kufirit të vendit do të kryhen rregullisht.
“Nëse më herët fluturime të tilla të aviacionit bombardues strategjik kryheshin në mënyrë ciklike, nga sot ato do të kryhen rregullisht. Këto janë masa të reagimit adekuat ndaj situatës që është krijuar si në ajër ashtu edhe në tokë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Zhvillimet e fundit vijnë në kohën më të tensionuar deri më tani, pas muajve me migrim masiv në kufijtë e Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë e më pak edhe me Letoninë. Këto tri shtete shtrihen në kufirin lindor të Bashkimit Evropian, shkruan sputnik.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian e ka akuzuar regjimin e Presidentit Aleksander Lukashenko se po përpiqet të krijojë jostabilitet me një valë të re të migrimit masiv drejt Bashkimit Evropian, shkruan sputnik.Udhëheqësit e BE-së pretendojnë se Bjellorusia është duke u hakmarrë për sanksionet që blloku ia ka vendosur qeverisë autoritare të Lukashenkos për shtypjen brutale të protestave e pakënaqësive brenda vendit.sh.o./Kosova Post/