Së fundmi, avokati, Tomë Gashi ka folur për refuzimin e takimit me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës së saj në Hagë, nga ana e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Gashi thotë se refuzimi i dytë për ta takuar delegacionin e MD-së nga ana e tyre është i dëmshëm, pavarësisht inateve politike apo personale.
“Është shumë e thjeshtë për atë refuzimin e vizitës nga ana e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga Thaçi dhe Veseli. Për mua është e dëmshme sikur me pasë një inat personal apo politik apo çfarëdo që të jenë paraprakisht, kanë refuzuar nga shtatori i vitit të kaluar, kur ka qenë zv.ministri Blerim Sallahu. Dmth situatë e njëjtë ku prej 8 të akuzuarve që i kemi atje, 2 janë të cilët refuzojnë takime me zyrtarët më të lartë që Qeveria i ka në sferën e drejtësisë, nëse refuzon me taku ministren e Drejtësisë së shtetit tënd me një Gjykatë që formalisht është e shtetit tënd, që të gjithë e dimë që aspak s’është e jona”, tha ai.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe juristi Blerim Burjani, i cili në një prononcim për “B.S”, është shprehur se arsyeja e refuzimit nuk ka të bëjë me postin e Haxhiut.
Por, sipas Burjanit, refuzimi i Haxhiut nga të paraburgosurit në Hagë, ka të bëjë me çështjet kundërshtuese politike.
“Nuk komentoj çfarë thonë të tjerët, arsyet e refuzimit të Thaçit dhe Kadriut janë të njohura për publikun, dhe kjo nuk ka të bëj me postin politik që mban Haxhiu, por me çështjet kundërshtuese në rrafshin politik. Pra, kjo është politikë”, tha ai.