Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin Ministror për Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë deklaroi se në këtë ditë “përkujtojmë fëmijët që u vranë dhe u masakruan për shkak të luftës”.
“Në këtë ditë propozoj të themelohet Komisioni Ministror me qëllim të hartimit dhe përgatitjes së projektit ‘Memoriali i fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë’”, tha Kurti, duke bërë të ditur se këtë komision do të udhëhiqet nga vet ai.
Mes tjerash, anëtarë të këtij komisioni do të jenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Qeveria e Kosovës po ashtu në këtë mbledhje ka ndarë 50 mijë euro ndihmë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Kryeministri Kurti ka thënë se kjo ishte një kërkesë e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Me qëllim të përkrahjes së kauzës politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe në bazë të kërkesës së parashtruar propozohet të ndahet mjetet në vlerë prej 50 mijë euro në mbështetje të aktiviteteve lobuese të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve shqiptarë atje. Mjetet propozohen të ndahen nga mjetet e buxhetuara te Zyra e Kryeministrit në programin “Përkrahje për Luginën e Preshevës”, tha Kurti.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të jetë në vazhdimësi në mbështetje të bashkëkombësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka emëruar sot Bordin e ri Mbikëqyrës të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A.
Të emëruarit në bord, sipas vendimit të miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, janë: Teuta Ukshini-Aliu, kryesuese dhe Albana Berisha, Fadil Berisha dhe Saxhide Mustafa, anëtarë.
Mandati i tyre zgjat tre vjet, tha kryeministri Albin Kurti derisa propozoi vendimin për emërimin e bordit.
Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, është caktuar edhe përbërja e bordit të ri të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A..
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria që ai udhëheq ka ndarë mbi 6 milionë euro për përfituesit e skemave sociale në vend.
Me këtë rast keyministri Kurti tha se kjo kategori, ndonëse është goditur nga rritja e çmimeve, problemi i tyre nuk zgjidhet duke e rrënuar sistemin pensional të vendit, raporton rtklive. “Andaj, kemi vendosur që atyre t’ua dyfishojmë ndihmat e ofruara nga buxheti aktual për dy muaj rresht dhe për këtë kemi ndarë mbi 6 milionë euro, pasi që të njëjtët përftime i kemi rritur për 30% për periudhë të pacaktuar”, është shprehur Kurti.