15 vite më parë erdhe furishëm mes nesh, duke mos pritur që të hyje as në muajin e nëntë brenda lëkurës së nënës tënde. Erdhe duke na thirrur menjëherë në beteja që nuk i bëmë vetëm. Sot bashkë me mua ti njeh shumë prej atyre që pa bujë dhe me buzëqeshje ishin aty me ne, duke na bërë që të t’i ndjenim hapat me të gjithë natyrën tënde energjike.
U rritëm bashkë bir! Nuk kam dashur të gënjej veten duke menduar se jam shoku yt më i mirë. Ti ke shokë bashkëmoshatarët e tu. Por, ama duhet të dish gjithmonë se, unë jam ai “shoku” që mund të rri zgjuar pa të thënë aspak se po rri zgjuar duke të pritur ty.
Ti e di që mund të qëndroj orë të tëra duke të dëgjuar edhe kur mund të mos jem tërësisht dakord me ty, edhe kur ajo që më thua nuk është ajo që unë kam pritur. Por ama, ti duhet të dish se do jem gjithnjë duke ardhur aty ku ti beson se unë duhet të jem me ty dhe për ty, ashtu siç kanë bërë prindërit për ne, e ashtu siç uroj se do të bësh edhe ti nesër, kur të jesh vetë prind!
Ne prindërit, sado të duam, nuk mund të jemi shokët më të mirë të fëmijëve tanë. Kur e themi “Ti je shoku im më i mirë”, thjesht na vjen mirë ta besojmë se mes nesh do ketë gjithmonë kohë edhe për bisedë serioze edhe për lojë. Por e di, që ne prindërit nuk mund të jemi në të vërtetë shokët tuaj më të mirë, sepse ndodh që prindërit u thonë fëmijëve gjëra që mund të mos u pëlqejnë, që i ndalojnë ndonjëherë argëtimin dhe i kërkojnë mësime, angazhim punësh, orar për kthimin në shtëpi apo duke kundërshtuar kërkesa të ndryshme.
Por kjo është detyra jonë, si prindër, për të të thënë atë që nuk ta thonë dot shokët e tu, ato që nuk t’i thotë dot mësuesja, trajneri apo kushërinjtë – por ne prindërit e tu do të t’i themi, sepse jemi pikërisht për të të thënë gjithçka që besojmë se të duhet ta dish. Por ama, i dashur Marin, mbaje mend mirë- se ne prindërit, edhe nëse të kritikojmë, ne gjithmonë do jemi me ty.
Biri im! Teksa të shoh me gjithë tekat e moshës tënde, jam i bindur se në çdo gabim tëndin, kam unë pjesën time të fajit, sepse ndoshta nuk kam ditur të t’i them të gjithë gjërat si duhet. Ndoshta t’i kam thënë duke të krahasuar me kohën time kur isha fëmijë, duke harruar kështu që çdo brez ka sfidat e veta, ka kohën e vet, që ndonjëherë në prindërit, nga dashuria për fëmijët, e harrojmë. Por, do e mësosh se të gjithë ne, duke gabuar edhe jemi rritur. Ndaj nuk mund të jetë ndryshe as për ty.
Ndaj, më lejo te të them, se sot e kuptoj edhe më mirë, se bashkë me vëllain tënd dhe ty, jam rritur edhe unë. Se ne prindërit mësojmë duke u rritur bashkë.
Sot, i dashur Marin, është vetëm një ditë që na kujton se sa je rritur. Dashtë Zoti, rruga përpara për ty do të jetë e gjatë. Dhe unë e lus Zotin të të mbajë gjithnjë me një zemër të zgjuar, me shumë dashuri për jetën, për familjen tënde, për miqtë e tu dhe uroj të jesh i kënaqur me atë çfarë do zgjedhësh të bësh në jetë!
Edhe 100 Marin!
/Nga Agim Baçi