Shkruan: Hysamedin Feraj
Forma më ekstreme e servilizmit ndaj ministrave është kërkesa që t’ia heqin pavarësinë gjyqësorit dhe t’ia nënshtrojnë ekzekutivit, që veç postit ekzekutiv që mban t’i marrë kompetencat dhe funksionet e prokurorit e të gjykatësit. E cilësoj “ekstreme” sepse kërkon nga ministrat të kthehen në mbretër absolut, pa ndarje pushtetesh, me të gjithë nën një person.
Me sloganin “Ministre/ministër mos fol, vepro!” nuk po bëhet kritikë ndaj ministrave por pikërisht kërkesë, kërkesë për uzurpim kompetencash dhe keqpërdorim të detyrës, për kthim të ministrave në pushtetarë arbitrarë. Më të kërkuarit për tiranë janë Albini, Xhelali dhe Albulena. Ndërkaq, në masën që kanë ndërgjegje demokratike, është fat që ministrat nuk po fyhen as nuk po joshen nga mbështetja e tillë që po zgjerohet.
Në fund të fundit, kushdo e di se tirania është më e shpejtë, demokracia më e ngadaltë, tirania është më efiçiente, por demokracia është më e drejtë. Në përputhje me këtë, slogani ynë nuk ishte “krejt shpjet”, por “krejt drejt”!
Të fryrë nga opozita me “qeverija s’po i mban premtimet” dhe të frustruar prej ngadalësisë që imponon sistemi demokratik, një pjesë e popullsisë po e humbë durimin.
Që nga Platoni dihet: padurimi i popullsisë ndaj demokracisë së pa disiplinë, e kalon sistemin në tirani.
P.S:
Besoj t’i kem ndihmuar disa miq të mi fb-je që kanë humbur durimin dhe i kanë lëshuar fre frustruimit. Sepse unë besoj që politika duhet të udhëhiqet prej virtytit, jo prej emocionit (“zemrës së plastë”). Se ajo është art dhe urtësi. Se unë nuk mund të ndalojë askënd të shkojë në skajin e vesit, por vetë do të qëndroj në mesin që e thotë virtyti.