Një studim i Institutit “Musine Kokalari” në Prishtinë, tregon se vetëm 20 për qind e pagave në Kosovë i plotësojnë standardet për një jetë të dinjitetshme (me 1.152 euro neto në muaj), që i nevojiten një familjeje me 4 anëtarë.
Paga mesatare në Kosovë ka ngelur në 520 euro, ndërsa ajo minimalja vazhdon ta ketë nivelin frikësues – 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç. Çfarë page mesatare ka propozuar Qeveria dhe çfarë Sindikata e Pavarur e Punëtorëve Privat?
Të dhëna shqetësuese janë bërë publike në fillim të këtij muaji në mediet shqiptare, nëpërmjet të cilave njoftohet se 60 për qind e familjeve në Shqipëri nuk kanë para të përballojnë shpenzime të papritura. Me fjalë të tjera, 60 për qind e familjeve në Shqipëri mund të kenë likuiditet të mjaftueshëm për të kaluar muajin, apo për të bërë aktivitetet e tyre të pritshme, por, nëse ato do të përballen me shpenzime të papritura si p.sh. një sëmundje apo problem tjetër, ata nuk do të ishin në gjendje ta përballonin. Ndryshe, këto familje (60 për qind e familjeve në Shqipëri, pra), vlerësohen edhe si familje financiarisht të brishta. Dhe, duke përdorur të dhënat nga Vrojtimi i Pasurisë së Familjeve në Shqipëri, është vlerësuar se 60% e familjeve në Shqipëri konsiderohen financiarisht të brishta, pra janë familje që nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar një shpenzim të papritur.
Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë se një familje shqiptare i dedikon mesatarisht 40% të shpenzimeve totale vetëm për t’u ushqyer. Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se buxheti që shpenzojnë për t’u ushqyer është më i larti në Europë. Ky është një tregues indirekt i varfërisë, teksa shpenzimet për ushqime janë një nevojë ekzistenciale e domosdoshme. Teksa ushqimi merr pjesën kryesore të buxhetit, mbetet pak likuiditet për të përballuar nevoja të tjera, sidomos ato të paparashikuara.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se një familje europiane shpenzon mesatarisht për ushqime 13.6% të totalit, ose tre herë më pak sesa në Shqipëri. Edhe në vendet e rajonit ky tregues është më i ulët, ku nivelin më të ulët e ka Serbia (24.1%), Mali i ZI (27.2%), Maqedonia e Veriut (30.6% për vitin 2019), Bosnjë-Hercegovina (32.2%). Të dhënat për Kosovën mungojnë, ndërsa treguesit e mëparshëm ishin më të ulët sesa të Shqipërisë.
Por, nga të dhënat më të fundit në bazë të të cilave vlerësohet niveli i varfërisë së një vendi, tashmë Kosova llogaritet të ketë nivel diku të barabartë, ose edhe më të lartë se sa Shqipëria të familjeve që nuk kanë para të përballojnë shpenzime të papritura. Sepse, Kosova, po varfërohet për ditë e më shumë, dhe tani ka arritur në nivelin e varfërisë reale dominuese në vend. Në Kosovë, nuk ka të dhëna për familjet që nuk kanë para të përballojnë shpenzime të papritura, por ka shumë të dhëna, edhe nga instuticionet zyrtare të vendit, edhe nga ato ndërkombëtare financiare, që flasin për varfërinë reale në Kosovë.
Një studim i Institutit “Musine Kokalari” në Prishtinë tregon se vetëm 20 për qind e pagave në Kosovë i plotësojnë standardet për një jetë të dinjitetshme (me 1.152 euro neto në muaj), që i nevojiten një familjeje me 4 anëtarë. Edhe në edicionin e 26-të Përmbledhjes së Pulsit Publik, një program i UNDP-së, i bërë publik ditë më parë, varfëria (me 16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), u regjistruan si tri çështjet – shqetësimet kryesore të kosovarëve, duke nxjerrë kështu në pah në këtë anketë të opinionit të Pulsit Publik përceptimin për këtë problem që tashmë e disa vjet, respektivisht që nga paslufta e ka “gur në qafë” Republika jonë.
Rritja e çmimeve në Kosovë ngulmoi sidomos nga viti 2022, dhe praktikisht, nga ky vit, çmimet në Kosovë vetëm janë ngritur, madje egërsisht dhe jashtë çdo logjike të tregut, për të arritur sot nivelin e çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore dhe të higjienës, e çmimeve në shumë shtete të Perëndimit (Gjermani, Francë, Itali etj.). Ndërkohë, paga mesatare në Kosovë ka ngelur në 520 euro, ndërsa ajo minimalja vazhdon ta ketë nivelin frikësues – 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç.
Qeveria, ç’është e vërteta, ka propozuar rritjen e pagës minimale në 264 euro, por ligji nuk ka hyrë në fuqi ende. Në këtë mënyrë, një shumicë e kosovarëve aktualisht, janë të detyruar të mbijetojnë me më pak financa se sa që realizojnë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë jo njëherë se “paga minimale e një punëtori në Kosovë duhet të jetë 550 euro, kjo pasi shumica e vendeve në rajon e kanë tanimë këtë pagë minimale.
“Paga minimale që tani për tani mund të plotësojë kërkesat më elementare, do të ishte 550 euro. Aty ku janë thuajse një pjesë e madhe e vendeve në rajon, dhe gjithçka që të bisedohet për pagën 550 euro është kostoja për shpenzimet për 4 persona që nuk mund t’i mbulojë as nevojat më elementare.”, thotë Azemi duke shtuar se “vitin e kaluar kanë propozuar që paga minimale të jetë 450 euro”, por sipas tij, këto parashikime tashmë janë tejkaluar me rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe ikjen e fuqisë punëtore, prandaj, sipas tij, paga minimale në Kosovë duhet të jetë 550 euro.
Edhe shumë të dhëna të tjera tregojnë se Kosova sot është realisht e varfër. Është më e varfëra në rajon. Më konkretisht, edhe në periudhën gjashtëmujore të këtij viti (2024-tës), shkalla e varfërisë në Kosovë ka mbetur theksueshëm e lartë dhe shqetësuese. Dhe kjo e dhënë vihet re te Bruto Produkti i Brendshëm (BPB), nga të ardhurat për frymë, nga mirëqenia e kosovarëve, nga shtresat numerikisht të shtuara që kërkojnë ndihma sociale, si dhe nga numri i kosovarëve që përditë ikën nga vendi i tyre…
Kosova, siç dihet, edhe në vitin e shkuar, ishte renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi. Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur e fundit në Evropë, më 2023 ishin saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombetarë, Shqipëria, që FMN-ja së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha ende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.
Ndërsa për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtarë për kokë banori. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në vitin 2023 e kishte 5.600 dollarë, po kështu e rendit të fundit Kosovën (mesatarja e BPB-së në BE është rreth 26 mijë euro për kokë banori). Dhe, në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse. Dihet, fuqia blerëse është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.
Edhe të dhëna dhe statistika të tjera alarmante flasin për numra të pafund të njerëzve, të kosovarëve pra, që kërkojnë ndihmë dhe përkujdesje nga shteti i vet edhe për mbijetesë. Sipas të dhënave statistikore, të bëra publike në disa raste edhe te Buletini Ekonomik, në fund të 2023-tës, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë. Në të gjitha komunat e Kosovës statistikat e varfërisë janë alarmuese.
Sipas statistikave nga ASK, nga skema e pensioneve bazike të moshës më 2023 ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues. Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër). Dihet, praktikisht që nga viti 2016, nuk ka pasur rritje pensionesh në Kosovë, pos ndonjë intervenimi financiar në formë ndihmash nga Qeveria, ndërkohë që në shumicën e vendeve të rajonit, pensionet në këto vite janë rritur vazhdimisht sipas shkallës së inflacionit.
Pensionistët, afro 200 mijë veta bashkarisht, ata me pension të pleqërisë, që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, rreth 147 mijë, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht, rreth 50 mijë, janë më të goditurit nga varfëria. Shumica e tyre, nëse nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët, thjesht nuk mund të dalin të jetojnë me pensionet e tyre minimaliste dhe që janë për keqardhje. Ata, nuk kanë mundësi të ushqehen asesi si duhet, nuk kanë mundësi të blejnë barnat e domosdoshme, nuk kanë mundësi të pijnë nga një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.
Me 100 euro pension (numri dërmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare. Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Ndërsa, këto fakte dhe shifra që pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen sociale aktuale në Kosovë (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 24 vjet ) do të duhej të jenë mjaftueshëm alarmuese për zyrtarët e Republikës, që edhe në këto rrethana të mungesës evidente të potencës financiare të shtetit, të jenë shumë më të ndjeshëm, që nënkupton, shumë më të vëmendshëm, për t’u përkujdesur për qytetarët e vet, e në veçanti për shtresat e varfëra të vendit. Edhe të varfërit e vendit kërkojnë jetë më të dinjitetshme, trajtim më korrekt nga shoqëria dhe shteti që i ka anashkaluar skajshmërisht ata. /Buletini Ekonomik