Shkruan: Besa Nuredini
Kosova ndodhet në një udhëkryq historik. Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk janë thjesht për një parti apo një politikan – janë për të ardhmen e Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin, dinjitetin dhe interesat kombëtare. Në këtë betejë vendimtare, Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë dëshmuar se janë forca e vetme politike që e shtrin sovranitetin cep më cep të Republikës së Kosovës, ndërkohë që opozita ka zgjedhur të heshtë, të shitet dhe të dorëzohet para presioneve të jashtme dhe interesave personale.
Një opozitë që punon kundër shtetit të saj
Opozita e sotme ka treguar një inferioritet të papranueshëm ndaj atyre që duan ta copëtojnë Kosovën. Për të fituar favore nga ata që kurrë nuk ia njohën shtetin Kosovës, ata përdorin gjuhën e Vuçiqit, duke treguar një linjë të rrezikshme për integritetin territorial të vendit. Nuk e kanë hallin për tokën që na e lanë trashëgimi të parët tanë, por vetëm për pushtetin personal. Në vend që të mbrojnë interesat e shtetit, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për karrierën e tyre.
Fushatë me milionat e oligarkëve dhe kërcënime ndaj qytetarëve
Opozita po bën një fushatë të ndyrë, të financuar nga oligarkë që kanë vjedhur pasurinë e popullit. Ata po përdorin autobusë dhe minibusë për të transportuar aktivistë nga një qytet në tjetrin, duke krijuar një pamje të rreme mbështetjeje. Jo vetëm kaq, por po kërcënojnë të punësuarit në komunat që ata drejtojnë, duke i detyruar të votojnë për ta, përndryshe i pret ndëshkimi. Kjo është një shkelje flagrante e demokracisë dhe e të drejtave themelore të qytetarëve.
Hipokrizia e premtimeve të tyre boshe
Ata që dikur mirëpritnin kriminelë dhe kryekriminelë në zyrat e kryeministrisë, tani po premtojnë siguri dhe integrim në NATO. Me kë? Në koalicion me ata që e kërcënojnë sigurinë e Kosovës dhe shtetin tonë që kurrë nuk e njohën? Si mund të ketë siguri kur ke në koalicion ata që punojnë për destabilizimin e vendit tonë? Kjo është hipokrizi e pastër dhe populli i Kosovës e ka kuptuar këtë lojë të tyre të fëlliqur.
Albin Kurti – Lideri që mbrojti shtetin dhe sovranitetin
Përkundër të gjitha këtyre, Albin Kurti ka dëshmuar që është lideri që Kosova ka nevojë. Nën drejtimin e tij, Republika e Kosovës ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare, ka mbrojtur tokën dhe integritetin e vendit, dhe ka punuar për një shtet ku qytetari është në qendër. Përpjekjet e opozitës për të kontestuar arritjet e tij janë të kota. Ai jo vetëm që do të dalë edhe më i fuqishëm më 9 shkurt, por do të vazhdojë ta forcojë shtetin dhe ta mbrojë Kosovën në çdo cep të saj.
Më 9 shkurt, vota për Vetëvendosjen është votë për një Kosovë të fortë, sovrane dhe të drejtë. Të gjithë ata që besojnë në të ardhmen e këtij vendi duhet të dalin dhe të mbështesin Albin Kurtin, liderin që nuk tradhton interesat kombëtare dhe që lufton për një Kosovë të barabartë në mesin e kombeve.