Ditëve të fundit, ka filluar një “luftë” e ashpër ndaj të parës së shtetit të Kosovës.
Ndaj Vjosa Osmanit vërshuan reagime të shumta, pasi që kjo e fundit u akuzua për mospërmendje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në postimin për përvjetorin e Koshares si dhe betejës së Kaçanikut.
Presidentja Vjosa Osmani, reagoi pasi u kritikua se nuk përmendi askund UÇK-në kur foli për Betejën e Koshares. Ajo një video të publikuar në Facebook, tha se kundërshton atë që ajo e quan “luftë speciale e ndërtuar mbi të pa vërteta” kundër saj.
“Nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme”, tha Osmani.Publicisti i njohur, Idriz Zeqiraj, në pjesën e dytë të bashkëbisedimit, që lidhet me “luftën speciale” që po bëhet ndaj të parës së shtetit ka thënë se karakteri i Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës ka shumë pika takimi me atë të presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Zeqiraj konsideron se ata që fshihen prapa këtyre akuzave janë disa ndoca zyrtarë, që po përpiqen dhe duan të përfitojnë në karrierën e tyre.
“Vjosë Osmani ngjiti shkallët e karrierës, me konsistencën e saj parimore, gjithnjë, e frymëzuar nga mësuesi i saj i mençur Rugovë. Ende nuk janë hapur arkivat, për ta parë rezistencën e Presidentit Rugova, për mbrojtjen e Kosovës, në kufijtë e saj të Kushtetutës të viteve ‘70-a. E habitshme, por e vërtetë se edhe disa miq tanë, “për kokë”, donin ta mbyllnin një proces, qoftë edhe në dëm të Kosovës. Janë ndoca zyrtarë, që duan të përfitojnë në karrierë, pavarësisht logjikës të fakteve. Kur një ditë shqiptarët ta mësojnë, këtë të vërtetë të hidhur, do të shokohen. Njëherësh, dashuria, respekti, adhurimi, falënderimi, mirënjohja, për Presidentin hyjnor Rugova, do të madhohen, deri në pakufi”, ka thënë Zeqiraj.
Zeqiraj në këtë bisedë për “Bota sot”, ka treguar se në vazhdimësi kanë paralajmëruar se nuk duhej injoruar nga ana e LDK-së dyshen Osmani-Gërvalla, mirëpo, ai shpjegon se si ishte bërë shpërfillja e vazhdueshme nga “klani” që udhëhoqi LDK-në.
“Sondazhet e bëra nga agjensi e media prestigjioze, tregonin epërsinë absolute të kandidates Vjosë Osmani, në raport me kandidatët tjerë, qofshin të vetëshpallur apo të tjerë të propozuar, nga dëshira individuale, grupore apo partiake. Diferenca ishte enorme; 80 % e popullit të Kosovës, e donin Vjosë Osmanin presidente, kurse tre kandidatët tjerë kandidatë për presidentë, ndanin atë 20 % e mbetur, edhe pse ishin figura publike dhe me pretendime hiç modeste. Megjithatë, pati ndër ata kandidatë, që ende ëndërronte postin e presidentit, duke pasur precedent zgjedhjen konspirative dhe banditeske të Hashimit president. Me gjithë paralajmërimet tona, si gazetarë, se nuk duhet injoruar Vjosa e Donika dhe duhet kërkuar ndjesë, sa nuk është bërë vonë. Por, shpërfillja nga lidershipi-klan, ishte, pothuajse, idioteske. P.Sh. Agim Veliu thoshte se “largimi i Vjosës as shenjë nuk na bënë”, ose akademik Isa Mustafa garantonte se “Vjosa asnjë votë nuk mund ta marri nga LDK-ja””, tregon Zeqiraj.
Kurse, sa i përket akuzave dhe kundërshtisë që po i bëhet në këtë kohë presidentes Osmani, Zeqiraj shpreh se krejt kjo kundërshti është veçse inatçore dhe artificiale, dhe e destinuar për dështim.
“I. “Prapa kalit të mirë, çohet pluhur”, – thotë një urtësi popullore, që shprehë pozitivitetin e njeriut të mirë, por, që smirëzinjtë e xhelozojnë. Dhe, në pamundësi përballje me atë, e përgojojnë me tepëri, edhe pse pa baza, pa të drejtë, por, duke besuar në moton klasike. “Shpif, shpif, se diçka mbetet.” Krejt ngjashëm po ndodhë edhe me kundërshtitë paushalle, ndaj presidentes sovrane e gjithë krenari e sharmë, Prof. Dr. Vjosë Osmani. Kundërshtia e opozitës, ndaj presidentes është sa e shpëlarë, aq edhe inatçore e artificiale, e destinuar për dështim. Sepse, inati në politikë është humbës, kanë thënë e përsëritur edhe të tjerët. Shkurt, kinse po bëjmë opozitarizëm, pa pasur asnjë fakt relevant”, shprehet ai për “Bota sot”.
“Hatërimi i opozitës, pse koalicioni LVV-Lista “GUXO”, mbajnë tri postet kryesore, tashmë, kjo ka ndodhur, duke u votuar secili, veç e veç, me votat e bollshme që kishte koalicioni në fjalë. Por, bashkimi i opozitës, me organizimin e Hashimit, përfshi edhe Listën Serbe, për rrëzimin e qeverisë-Kurti, ishte i vrazhdët dhe shumë armiqësor. Zotimi i Hotit kryeministër se “do të kujdesemi që LVV të mos vijë më në pushtet”, kulmonte me urrejtjen cinike, po të kemi parasysh moshën rinore të subjektit politik të LVV. Andaj, LVV nuk donte vartësinë, jo vetëm të Listës Serbe, por, as të subjekteve tjera shqiptare”, tha ai.
Ai është i mendimit se arsyeja e armiqësisë që po bëhet ndaj presidentes Vjosa Osmani, por, edhe Lëvizjes Vetëvendosje, e kanë burimin tek frika e drejtësisë.