Deklarata e Departamentit të Shtetit që kritikon Serbinë për nënshkrimin e Planit të Konsultimeve me Federatën Ruse është befasuese dhe një hap në drejtimin e gabuar. Kështu deklaroi, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin dhe shtoi se Serbia nuk ka bërë asgjë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se populli serb është i pakët, por i lirë dhe se janë ata vetë që do të vendosin se me kë bashkëpunojnë.
“Ne jemi një popull i vogël, por jemi një komb i lirë dhe përderisa do të udhëhiqemi nga Aleksandar Vuçiçi, ne do të mbetemi të lirë dhe do të vendosim vetë se kush janë miqtë tanë dhe me kë dhe si të bashkëpunojmë. Serbia nuk është një vend i madh, por nuk është as rezervë, vendosim vetë”, tha Vulin.
Departamenti Amerikan duke iu referuar marrëveshjes së fundit të nënshkruar ndërmjet Serbisë dhe Rusisë ka theksuar se asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë derisa ajo vazhdon agresionin kundër Ukrainës.