Washingtoni shprehu “shqetësim të thellë” të martën për një sulm ajror që duket se është ndërmarrë nga Izraeli dhe la të paktën 45 palestinezë të vrarë.
Objektivi i sulmit që la rreth 200 të plagosur ishte kampi i refugjatëve në Rafah. “Ato imazhe ishin zemërthyese”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ai tha se ndërsa Izraeli ka të drejtë të luftojë Hamasin, Izraeli e ka për detyrimin që të bëjë gjithçka që është e mundur për të minimizuar dëmtimin e civilëve gjatë operacioneve të tij.
“Ne do të vazhdojmë të theksojmë detyrimet që ka Izraeli për të respektuar plotësisht ligjin humanitar ndërkombëtar, për të minimizuar ndikimin e operacioneve ushtarake tek civilët dhe për të shtuar rrjedhën e ndihmës humanitare për njerëzit në nevojë”, tha zëdhënësi Miller, duke shtuar se ushtria izraelite kishte premtuar një hetim gjithëpërfshirës dhe transparent. “Ne do t’i ndjekim nga afër ato rezultate”, tha ai
Ushtria izraelite tha se po shqyrton mundësinë që armët e fshehura në zonën e goditur nga sulmi izraelit mund të kenë shkaktuar një zjarr vdekjeprurës në kampin e refugjatëve të dielën.
Një zëdhënës ushtarak tha të martën se municionet e përdorura në sulmin izraelit ishin shumë të vogla për të shkaktuar r një zjarr të madh.
Ministria e shëndetësisë në Gazë tha se sulmi shkaktoi zjarrin në tendat ku strehoheshin personat e zhvendosur. Nga ana tjetër, Izraeli tha se kishte vrarë dy militantë të lartë të Hamasit në sulmin në fjalë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua të martën pasdite në një seancë të mbyllur të kërkuar nga Algjeria për të diskutuar sulmin. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha përmes një deklarate të martën se “dhuna e pamëshirshme” duhet të ndalet ndërsa përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim humanitar dhe lirimin pa kushte dhe të menjëhershëm të të gjitha pengjeve.
Punonjës të kujdesit shëndetësor dhe banorët e Gazës raportuan për sulme të reja ajrore izraelite të martën në zonën al-Mawasi, ku janë vendosur mijëra njerëz, për të cilën Izraeli ka thënë se është një “zonë e sigurt”.
Ministria e shëndetësisë në Gazë tha se të paktën 20 civilë u vranë. Ushtria izraelite tha se nuk e kishte sulmuar zonën.
Përmes një deklarate, ushtria izraelite tha se “përkundër raportimeve të disa orëve të fundit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk sulmuan Zonën Humanitare në Al-Mawasi”.
Në mesin e të vdekurve ishin 12 gra, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Një zëdhënës ushtarak tha se “deri në këto momente nuk jemi në dijeni për incidentin.”
Në pjesën qendrore të Rafahut, tanket dhe makinat e blinduara me armë automatike janë stacionuar pranë xhamisë Al-Awda, sipas dëshmitarëve me të cilët bisedoi agjencia Reuters.
Kritikat ndërkombëtare ndaj ofensivës trejavëshe në Rafah u shndërruan në zemërim të hapur pas sulmit të së dielës dhe zjarrit që kaploi një kamp tendash, duke lënë të paktën 45 të vrarë.
Nënpresidentja Kamala Harris tha të martën se “fjala tragjedi nuk është përshkrim i mjaftueshëm i asaj që ka ndodhur” në kampin e tendave në Rafah.
Ajo i bëri këto komente gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni në Uashington, pasi u pyet nga një gazetar për sulmin në zonën humanitare të martën. Por ajo nuk u përgjigj në pyetjen nëse sulmet në Rafah kaluan “vijën e kuqe.”
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, Shtetet e Bashkuara menjëherë kanë kontaktuar qeverinë e Izraelit pas sulmit të fundjavës në Rafah për të shprehur shqetësimin e thellë rreth incidentit.
Izraeli tha se kishte vënë në shënjestër të sulmit dy udhëheqës të lartë të Hamasit dhe se synimi i tij nuk ishte të shkaktonte dëme ndaj civilëve.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha të martën se ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin vdekjeprurës në kampin e refugjatëve në Rafah, por shtoi se bombat 17 kilogramëshe të përdorura në sulm besohet se ishin shumë të vogla për të shkaktuar një zjarr të përmasave të tilla.
“Po shqyrtojmë të gjitha mundësitë, përfshirë mundësinë që një sasi armësh të kenë qenë të fshehura në një vend afër objektivit tonë, për të cilën ne nuk kemi patur njohuri më parë dhe të kenë shpërthyer si rezultat i sulmit”, deklaroi zëdhënësi Hagari, duke shtuar se sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes ka shenja se kishte shpërthime dytësore pas sulmit.