Ylfetja, me 1 shkurt 1990, fiks para 32 vitesh kur ishte vetëm 16 vjeçare, u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me Ylfeten ishte dhe vëllau i saj Mentori (13), i cili do të binte heroikisht me 21 mars 1999 duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, përshkruan KosovaPost.
Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare.
Ylfetja ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.
Në shkollë ishte e shkëlqyeshme, e përkrah mësimit merrej edhe me aktivitete të lire në kuadër të shkollës, ku ka luajtur edhe dramën “Halili e Hajria”.