Me liberalizimin vizave, është rritur edhe interesimi i qytetarëve për tu pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.
Pritjet e gjata në qendrat e regjistrimit ku bëhet aplikimi për pasaportë, dhe fluksi i madh i qytetarëve, kanë bërë që Agjencia e Regjistrimit Civil të marrë vendim për zgjatjen e orarit të punës.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, në një intervistë për Arbresh.info, tregon arsyet e vendimit për zgjatjen e orarit, duke shtuar se gjatë ditëve të javës do të punohet me orar të zgjatur, si dhe do punohet edhe ditëve të shtune.
Sipas tij, gjatë ditëve të punës, ARC do të punojë deri në ora 18:00, ndërsa të shtunave, deri në ora 16:00.
“Sipas kërkesave të qytetarëve për aplikim të dokumenteve, e pamë të nevojshme që ta zgjasim orarin e punës, që qytetarëve të i ofrojmë një shërbim më të mirë, më lejoni që përmes medias tuaja të njoftojmë të gjithë qytetarët se orari i zgjatur, është ditëve të punës deri në ora 18:00 që do të thotë deri në ora 6 pasdite, ndërsa ditën e shtune, për aplikim për dokumente punohet deri në ora 16:00 . Edhe prodhimi, edhe aplikimi, dy departamentet, jemi duke punuar me orar të zgjatur”, shprehet Camaj.
Ndryshe, vendimi për zgjatjen e orarit të punës ka hyrë në fuqi me datën 16 prill (e martë).
Kujtojmë se pas liberalizimit të vizave, pasaporta e Kosovës është fuqizuar në radhitjen botërore, ku sipas indeksit të pasaportave, pasaporta kosovare është e 55-ta në botë për nga fuqia e saj./Arbresh.info