E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa i takon Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë dialogun pasi është qenësor për aspiratën evropiane të të dyja vendeve.
Kështu u tha në seminarin virtual mbi Ballkanin Perëndimor me temën “Ballkani Perëndimor: midis multi-polaritetit dhe procesit të integrimit evropian”, organizuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Piero Fassino, ku pati përplasje mes Haki Abazit dhe përfaqësuesit serb Zharko Obradoviq rreth flamurit të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Piero Fassino tha se falë ndërmjetësimit të BE-së Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre.
Ai po ashtu tha se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e hapësirës evropiane të furnizimit me vaksina për të tejkaluar pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe, programeve evropiane për ekonominë e gjelbër, digjitalizimin, kërkimin dhe inovacionin.
Fassino: Falë BE-së, Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë të normalizojnë marrëdhëniet
“Duke iu falënderuar integrimit në Evropë, Serbia sot mund të lidhet me Evropën, duke shëruar plagët e vitit 1999. Duke iu falënderuar integrimit evropian, Shkupi dhe Athina i dhanë fund një konflikti i cili zgjati për 30 vjet. Dhe, besoj se në të njëjtin drejtim, falë BE-së, ndërmjetësimi Prishtinë-Beograd do të arrijë të normalizojë marrëdhëniet mes tyre… Ne duhet të përshpejtojmë procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, me një hartë që parashikon rifillimin e negociatave të filluara mes Malit të Zi dhe Serbisë, thirrja e konferencave ndërqeveritare për fillimin e tyre me Shqipërinë dhe Malin e Zi, njohja e statusit të kandidatit për Bosnjë-Hercegovinën dhe sinjali i një perspektive për Kosovën”, tha ai.
Presidenti i Parlamentit Evropian, David-Maria Sassoli tha se e ardhmja e qytetarëve të regjionit të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, zgjerimi i BE-së për vendet e këtij regjioni, është çështje e pajtimit të historisë dhe gjeografisë së Evropës.