“Neve na mbesin 4 apo 5 mjekë të rinj çdo vit për tregun e punës. Dhe, kjo është për t’u shqetësuar me të vërtetë”, tha kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu, transmeton Kosova Post.
Nga 150 mjekë të diplomuar përgjatë një viti universitar në Kosovë, 145 prej tyre largohen nga vendi për të punuar në shtetet e zhvilluara evropiane, për shkak të kushteve jo të mira që u ofrohen atyre në Kosovë, shkruan AA.
Kjo u bë e ditur në një konferencë të Odës Ekonomike të Kosovës (OMK), ku u diskutua për “Kualitetin e shkollimit universitar dhe pasuniversitar të mjekëve”.
Kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu tha se për ikjen e mjekëve nga Kosova janë marrë shumë pak hapa nga institucionet e Kosovës, duke ditur që vazhdimisht sektori i shëndetësisë ka pasur mungesë të stafit shëndetësor.
“Nëse llogarisim, nga Fakulteti i Mjekësisë për afërsisht 150 vetë diplomojnë në vit. Ndërsa neve na mbesin 4 apo 5 mjekë të rinj çdo vit për tregun e punës. Dhe, kjo është për t’u shqetësuar me të vërtetë. Është koha e fundit që institucionet tona, Ministria e Shëndetësisë dhe e Arsimit të ndërmarrin diçka”, tha ai.
Deri më tash, Sejdiu tha se 76 mjekë kanë kërkuar për këtë vit dokumente me të cilat ata mund të dalin jashtë shtetit për të punuar, nga ta 31 janë specializantë të fushave të ndryshme të mjekësisë.
Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Sami Uka tha se si ministri, përpiqen të ndërtojnë një sistem që do të riorientojë specializimet në bazë të nevojave për Kosovën dhe jo në bazë të kritereve tjera.
Ai tha se është jetike që të gjithë partnerët të punojnë bashkë që të ngritet vazhdimisht cilësia e programeve specialistike dhe bazike.
“Arsyetimi se mungesa e profileve shëndetësore nëpër botë dhe ikja e punëtorëve shëndetësorë prej Kosovës ka bërë që të ndahen specializimet në mënyrë populiste, nuk qëndron. Është krejt e kundërta. Sepse, arsyet më të shpeshta të ikjes së punëtorëve shëndetësorë janë kushtet dhe nuk është asnjë arsye tjetër. Andaj, ne duhet të bëjmë përpjekje që t’u sigurojmë kushtet elementare për punë dhe të sigurojmë që ata ta ndjejnë veten të vlerësuar në sistemin shëndetësor”, tha Uka.
Uka tha se mungesat e punëtorëve shëndetësorë në botë janë vlerësuar se deri në vitin 2030 do të mungojnë 18 milionë punëtorë shëndetësorë dhe do të krijohet një vakum i thithjes së punëtorëve shëndetësorë prej vendeve në zhvillim dhe vendeve të varfra. Megjithëse, Kosova sipas Ukajt duhet të krijojë resurse humane për nevojat vendore, pa e eliminuar mundësinë që edhe të eksportojë punëtorë shëndetësorë kur i plotëson nevojat e saj.
Nga një pyetësor i vitit të kaluar me 1.000 studentë të mjekësisë të anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit pas diplomimit.
Mjekët në spitalet publike aktualisht marrin mes 600 dhe 750 euro në muaj.