Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) të Kosovës, Hekuran Murati ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar, transmeton Kosova Post.
Siç njofton MFPT, ministri Murati dhe ambasadori Sakar u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ministri Murati e njoftoi ambasadorin Sakar për prioritetet e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të cilat dalin nga Programi i Qeverisë Kurti, për situatën makro-fiskale në vend, për hapat e ardhshëm në tejkalimin e gjendjes se rënduar ekonomike si pasojë e COVID-19 si dhe për adresimin e sfidave për rritjen ekonomike dhe fuqizimin e sektorit privat si bartës i punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vend.
Ndërsa ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sakar falënderoi ministrin Murati për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të shtetit të Turqisë për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe miqësore ndërmjet dy vendeve përmes rritjes së investimeve të huaja direkte të Turqisë në Kosovë dhe mbështetjes potenciale nga ana e shteti turk në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.