R.S, shtetas i Shqipërisë, është paraburgosur për 30 ditë për dhënie ryshfeti në Kosovë.
Ai më 9 mars në pikën kufitare të Vërmicës deshi t’ia jep 20 euro zyrtarit policor për të kaluar kufirin, njofton Klan Kosova.
“Këto të holla i kam lënë për ju, për qejf, për të pirë një kafe dhe për të më mundësuar ta kalojë kufirin meqë ndërrimi paraprak policor më ka refuzuar hyrjen”, i ka thënë ai policit derisa ia ka dorëzuar dokumentet.
R.S aty u ndalua nga policia dhe iu sekuestrua kartëmonedha 20 euroshe.
Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke u bazuar në provat e mbledhura deri në këtë fazë siç është deklarimi i të pandehurit i cili i ka pranuar veprimet e tij, si dhe duke pasur parasysh dënueshmërinë e kësaj vepre penale si dhe faktin se i pandehuri nuk ka vendbanim as vendqëndrim në Republikën e Kosovës, i njëjti është shtetas i Republikës së Shqipërisë, prandaj nëse i njëjti lihet në liri apo me ndonjë masë më të butë se sa caktimi i paraburgimit i pandehuri mund të ik apo të largohet nga Kosova.
Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është më e domosdoshme dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale dhe caktimi i çfarëdo mase tjetër më të butë nuk do të arrinte efektin e duhur ngase i pandehuri është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe se në Republikën e Kosovës nuk ka vendbanim apo vendqëndrim të caktuar.