Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që në garën e balotazhit në Fushë Kosovë të rreshtohet krah Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur për opinionin kryetari i degës së AAK-së në Fushë Kosovë, Besnik Shala, i cili tha se pas konsultimit me të gjitha strukturat e kësaj partie në këtë qytet kanë marrë vendim që në rundit e dytë ta mbështesin kandidatin e LDK-së për kryetar të Fushë Kosovë, Burim Berishën.
“Vota e çdo anëtari të AAK-së në Fushë Kosovë, nga sot konfirmon rreshtim të vullnetshëm të elektoratit të saj për mbështetje të plotë të Z. Burim Berisha, i cili me datë 14 Nëntor 2021 përmes verdiktit të popullit do të jetë Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në qytetin e Fushë Kosovës, gara e balotazhit do të zhvillohet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila në rundin e parë ka fituar 49.96 përqind dhe Lëvizjes Vetëvendosje që në zgjedhjet e 19 tetorit në Fushë Kosovë ka fituar 25.33 përqind.