Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, paralajmëron inicimin e një debat parlamentar nga i cili synon të nxjerr një rezolutë për të adresuar çështjen e mosliberalizimit të vizave për Kosovën.
Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Kosovës i është bërë padrejtësi lidhur me çështjen e vizave.
“Në samit, për Kosovën ndodhi ajo e zakonshmja, pra thirrja për dialog. AAK e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Ajo që dimë është se kushtet e parapara për liberalizim të vizave kanë përmbushe tani e shumë vite më parë”, ka thënë Tahiri.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të iniciojë një debat parlamentar, një rezolutë në mënyrë që të adresojmë këtë çështje në nivelin më të lartë nga Parlamenti i Kosovës”, ka shtuar Tahiri.