Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, sot takoi krerët e opozitës: Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi, për të biseduar për situatën e krijuar në veri të vendit, transmeton Kosova Post.
Pas takimit me kryeministrin, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shkëputur detaje nga ky moment.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ai ka theksuar se në këto momente “uniteti politik, është esencial!”.
Ky është postimi i plotë i Abdixhikut:
Të dashur qytetetarë,
Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti.
Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial.
Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet.
Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.