Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 828 raste të reja me koronavirus.
është numri më i lartë i muajve të fundit sa i përket rasteve ditore me virusin Korona, por gjithashtu edhe numri më i lartë i testeve që nga fillimi i pandemisë ku janë testuar 5102 pacientë, shkruan lajmi.net.
Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (64, 77 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (77 vjeç), Gjakovë 1 rast (64 vjeç), Obiliq 1 rast (84 vjeç), Rahovec 1 rast (72 vjeç), Shtime 1 rast (68 vjeç), Viti 1 rast (69 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 80.621 raste nga 375.967 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.744 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 744 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 67.065 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.812.
Sot, Ministria e Shëndetësisë ka bërë rangimin e ri të komunave sipas zonave bazuar në rezultatet e IKSHPK-së, përkatësisht numrin e rasteve të reja të COVID-19 në 100.000 banorë në intervalin kohor prej shtatë ditësh.
Nga sot e deri më 26 mars, në zonën e kuqe janë 18 komuna:
Leposaviqi, Zubin Potoku, Zvecani, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Podujeva, Vushtrria, Obiliqi, Prishtina, Fushë Kosova, Lipjani, Graçanica, Novoberda, Gjilani, Kamenica, Gjakova, Peja dhe Ferizaji.
Në zonën e verdhë janë 12 komuna:
Deçani, Juniku, Istogu, Klina, Skenderaj, Drenasi, Prizreni, Suhareka, Shtimja, Kaçaniku, Vitia dhe Kllokoti.
Në zonën e gjelbër janë 8 komuna:
Ranillugu, Parteshi, Hani i Elezit, Shterpca, Malisheva, Rahoveci, Dragashi dhe Mamusha.
Ndryshimet
Podujeva nga zona e verdhë ka kaluar në zonën e kuqe.Graçanica nga zona e gjelbër ka kaluar ne zonën e kuqe
Drenasi nga zona e gjelbër ka kaluar ne zonën e verdhë.Shtimja nga zona e gjelbër ka kaluar ne zonën e verdhë.
Në anën tjetër sot është mbajtur mbledhja e Komitetit për pandeminë ku kanë folur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Naser Ramadani, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe të tjerë.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se është shqetësuese rritja e numrit të pacientëve me COVID-19 duke shtuar se po të vazhdojë ky trend do të mbingarkohet SHSKUK-ja.
“Shqetësuese janë rastet spitalore. Valbon Krasniqi çdo ditë po kërkon rritje të kujdesit, përndryshe mbingarkesa në SHSKUK, nëse vazhdon kështu, do të jetë e papërballueshme dhe profesionistët tonë shëndetësorë do të përballen me sit të vështira të menaxhimit”.
Në mbledhjen e Komitetit për COVID-19, Zemaj falënderoi stafin shëndetësor dhe tha se është krenar me ekspertizën dhe profesionalizmin e tyre.
Ai po ashtu ka njoftuar se gjatë vitit 2021 janë testuar 7000 mësimdhënës, 2000 prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë apo 31 përqind.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani ka njoftuar se në dy javët e fundit ka pasur rritje të rasteve të reja dhe të vdekjeve nga koronavirusi.
Ai tha se gjatë dy javëve të fundit ka pasur rritje të rasteve të reja pre 27.6%, teksa numri i vdekjeve poashtu është rritur për 40%.
“Në javët e fundit ka pasur një rritje të rasteve prej 27.6% duke përfshirë edhe të dhënat e sotshme. 619 raste mesatare në ditë krahasuar me dy javët e kaluara. Ku numri mesatar ka qenë 548 raste. Gjatë këtyre dy javëve kemi regjistruar 110 raste të vdekura apo me një mesatare prej 8 të vdekurve. Ka një rritje prej 40% krahasuar me dy javët e kaluara”, ka thënë Ramadani.
Më tutje ai dha detaje edhe për grup moshat më të prekura nga virusi.
“Në javët e fundit janë shënuar 4 mije 511 raste. Grupmosha më e prekur është 30-39 vjet me 19.3%. grupmoshat e tjera janë prej 0.9 vjet, 1.66%, 10-19, 6.18%, 20-29, 15.13%, 70-79, 17.66%…”, ka thënë më tutje ai.
Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi ka alarmuar se bazuar në trendin e rritjes së rasteve me Covid-19, mund të ketë vështirësi në hospitalizimin e personave të infektuar me koronavirus.
Krasniqi theksoi se aktualisht rreth 800 pacientë me Covid-19 që janë të shtrirë në Spitalet Rajonale dhe në qendrat për Covid në QKUK.
“Tash e pothuajse tri javë, ShSKUK-ja është duke u ngarkuar me numër të madh të rasteve të hospitalizuar. Numri i të shtrirëve sot ka arritur në 800. Kemi saktësisht 798 pacientë që po marrin shërbime në spitalet rajonale dhe në qendrat Covid. Kjo i bjen që brenda 18 ditëve të muajit mars kemi rritje të hospitalizuarve pre 66%”, ka thënë Krasniqi.
Për sa i përket rritjes së rasteve të reja me koronavirus, Krasniqi theksoi se është mjaft shqetësuese për ta.
“Kjo rritje për neve në një periudhë kaq të shkurtër kohore për ne është mjaft shqetësuese. Nëse vazhdon ky trend i rritjes së të hospitalizuarve nënkupton që mbase brenda muajit mars do të tejkalohen kapacitetet e planifikuara. Ne si ShSKUK u bëjmë thirrje këtij Komitetit dhe Qeverisë që të rrisin kapacitetet në shtretër”, ka thënë më tutje Krasniqi.
“Ne nuk kemi spital rezervë e as të veçantë për Covid. Shifrat janë shqetësueses dhe nëse i kushtojmë një vëmendje të veçantë të dhënave që u paraqiten nga IKSHPK-ja i bie se 1/3 e qytetarëve që janë konfirmuar pozitiv janë të moshës mbi 50 vjeçare. Një pjesë e madhe e këtyre të infektuarve kanë mundësi që të sëmuren dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore”, ka deklaruar shefi i ShSKUK-së.