Një banor në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Aktash të Prishtinës ka drejtuar ankesa në adresë të Komunës së Prishtinës për shkak të grumbullit të madh të mbeturinave në këtë rrugë, raporton Kosova Post.
Qytetari, banor i lagjes tregon se tash e një kohë mbeturinat nuk janë larguar nga kjo lagje me arsyetimin se komuna ende nuk është mobilizuar mirë. Mbeturinat janë shpërndarë gjithandej nëpër rrugë të cilat kanë ndikuar edhe në shtimin e numrit të qenve endacak.
Qytetari i cili deshi të mbetet anonim, ka treguar për Kosova Post se përveç mbeturinave që janë gjithandej dhe kundërmojnë, rrezik për banorët janë qentë endacak. Ai ka treguar se hiq më larg se dy netë më parë një banor të moshuar e kishin sulmuar qentë endacak. ‘Këta qenë endacak përbëjnë rrezik edhe për fëmijët’, ka thënë qytetari.
Siç mund të shihni në foto, të gjitha këto qese hedhen në rrugë, pasi aty mungojnë kontejnerët. Në po të njëjtën rrugë, mungojnë edhe shportat e vogla./Kosova Post/