Herën e parë i mblodhi në darkë e herën e dytë në drekë. Pavarësisht kohës, protagonistët janë të njëjtë, por qëllimi i vërtetë nuk dihet, përcjell KosovaPost.
Kështu, për herë të dytë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, mblodhi për drekë ish “Grupin e Unitetit”.
Ish presidenti Fatmir Sejdiu, pastaj Blerim Shala, këshilltari i ish presidentit Hashim Thaçi, ish ministri i Punëve të jashtme, Enver Hoxhaj, ish ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Ylber Hysa e ish kryeministri Agim Ceku, janë disa nga figurat që ambasadori Hovenier i ftoi sërish në drekë.
Të gjithë këta dhe të tjerët, ishin të përfshirë direkt në procesin e fazës para pavarësisë së Kosovë, në vitet 2005-2007, kur po diskutohej statusi final i Kosovës.
Aty i ftuar, bazuar në fotografi, rezulton të ketë qenë edhe Kai Sauer, nënsekretar i shtetit finlandez që në vitin 2006/7 ka shërbyer si këshilltar i Martti Ahtisarit, emisar i OKB’së në negociatat për statusin final të Kosovës.
Një gjë të tillë, e bëri publike vetë ambasadori Hovenier, përmes një statusi të publikuar në llogarinë e tij në Twitter.
“Ne diskutuam për punën tonë kolektive në 2006-07 dhe përkushtimin tonë për suksesin e vazhdueshëm të Kosovës”, ka shkruar diplomati amerikan, por pa dhënë detaje të tjera.
Një takim të ngjashëm, diplomati amerikan e ka realizuar me 31 maj 2022.
Takimi i 31 majit 2022
Atëherë kishte shkruar gjithashtu në twitter se diskutimi në këtë takim ishte i fokusuar në të ardhmen evropiane dhe euroatlantike.
“Mirënjohës për pritjen e miqve të vjetër për një darkë ribashkimi të “Ekipit të Unitetit” të Kosovës, negociator në bisedimet e Vjenës 2006/2007. Ndërsa kujtuam të kaluarën, udhëheqjen e shkëlqyer të Martti Ahtisaarit dhe arritjet e shumta të Kosovës që atëherë, diskutimet tona u fokusuan në dëshirën tonë të përbashkët që Kosova të realizojë të ardhmen e saj evropiane dhe euroatlantike,” kishte shkruar Hovenier.
Përndryshe, Pako e Ahtisarit i ka hapur rrugë pavarësisë së Kosovës e cila është shpallur më 17 shkurt 2008.