Aktualisht është duke u mbajtur seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, seancë kjo e thirrur nga opozita lidhur me situatën energjetike në vend, shkruan KosovaPost.
Deputetja nga rradhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, përmendi se sipas saj Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar të pasurit dhe bizneset me subvencionimin e energjisë elektrike. Ajo tha se barrën e shtrenjtimit të rrymës e bartin 20% të qytetarëve, të cilët sipas saj, do ta paguajnë energjinë elektrike “për komplet sektorin e biznesit dhe 80% të amvisërive.
Bajrami e pyeti Qeverinë se kush janë top-përfituesit e 90 milionë eurove që u ndanë për subvencionimin e energjisë elektrike.
Ajo tha se bordi i ZRRE-së duhet të japë dorëheqje pasi ka bërë shkelje të mëdha.
“Është vendimi më diskriminues që ka ndodh ndonjëherë prej institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Bajrami, duke paralajmëruar se do t’i ndjekin mekanizmat ligjorë për ta kundërshtuar këtë vendim.
Vlen të përmendet se në kohën kur u “avulluan” mbi 2 milionë euro në thesarin e shtetit, Bajrami mbante qesen e shtetit.