Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi sot se “Shqipëria mbështet tërësisht anëtarësimin në NATO”.
Në një konferencë për shtyp në Kryesinë e Kuvendit pas takimit me delegacionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Balla tha se ‘kemi nisur një fazë të re bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës. Jemi takuar me dy prej grupeve parlamentare, ky është grupi i tretë. Vizita e grupit parlamentar të AAK-së është me rëndësi të veçantë për shkak të peshës të rëndësishme që luan ky grup dhe AAK në politikën e Kosovës. Dua të them dy gjëra që janë tejet të rëndësishme nga takimi që kemi pasur me delegacionin, e para ka të bëjë me procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Shqipëria mbështet tërësisht integrimin e Kosovës në NATO duke e konsideruar një çështje të rëndësisë strategjike dhe në kontekstin e ri gjeopolitik të krijuar”, nënvizoi Balla.
Balla u shpreh se “çështja e dytë është ajo e linjës hekurudhore mes Durrësit dhe Prishtinës. Po bëhet studimi i fizibilitetit. Sa më pranë dhe sa më i fortë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës aq më mirë bëjmë edhe ne detyrën tonë në funksionet respektive”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se “gjatë takimit diskutuam për nisma legjislative mes dy kuvendeve, sid he bashkëpunimin mes dy vendeve”./atsh