Borrell theksoi se sulmet e talebanëve që vazhdojnë, janë në kundërshtim me angazhimet e deklaruara në procesin e paqes në Doha dhe për zgjidhjen e konfliktit duke negociuar, transmeton Kosova Post.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, duke dënuar dhunën në Afganistan, ftoi qeverinë afgane të ndërtojë marrëdhënie me talebanët, ndërsa talebanët i ftoi që të rikthehen në negociata, shkruan AA.
Në një deklaratë me shkrim, Borrell theksoi se sulmet e talebanëve që vazhdojnë janë në kundërshtim me angazhimet e deklaruara në procesin e paqes në Doha dhe për zgjidhjen e konfliktit duke negociuar.
“Bashkimi Evropian dënon shkeljet e të drejtave të njeriut që janë në rritje kryesisht në rajonet nën kontrollin e talebanëve. Inkurajojmë Afganistanin që të zgjidhë dallimet politike, të rrisë përfaqësimin e të gjitha palëve dhe të ndërtojë marrëdhënie nga një perspektivë e bashkuar me talebanët”, tha Borrell.
Borrell theksoi se BE-ja synon të vazhdojë mbështetjen për popullin afgan, por kjo do të jetë e lidhur me kushtin që me një zgjidhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse të respektohen të drejtat themelore të të gjithë afganëve përfshirë gratë, të rinjtë dhe pakicat.
Duke u bërë thirrje talebanëve për vazhdimin e negociatave, Borrell tërhoqi vëmendjen se duhet të ndalohet menjëherë dhuna dhe të sigurohet një armëpushim gjithëpërfshirës dhe i përhershëm.
“Mbart një rëndësi kritike që të mbrohen arritjet e rëndësishme të arritura në 20 vitet e fundit nga gratë dhe vajzat, përfshirë edhe qasjen në arsim. Në të kundërtën nëse pushteti merret duke përdorur forcën dhe nëse formohet sërish një emirat islamik, talebanët do të përballen me mosnjohje, izolim, mungesë të mbështetjes ndërkombëtare dhe mundësinë e konfliktit të vazhdueshëm dhe destabilitetit afatgjatë në Afganistan”, theksoi Borrell.
Pak kohë më parë talebanët morën nën kontroll qendrën e provincës Kandahar në jug të Afganistanit. Bashkë me Kandaharin është rritur në 12 numri i qendrave provinciale ku forcat e qeverisë afgane kanë humbur kontrollin përballë talebanëve në 8 ditët e fundit.