Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga secili veprim që mund të destabilizojë situatën, edhe ashtu të brishtë, dhe që çfarëdo sqarimi rreth interpretimeve për marrëveshjen për targat ta adresojnë në kuadër të dialogut.
Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth akuzave që kanë shkëmbyer Kosova dhe Serbia për mosrespektimin e marrëveshjes rreth targave, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme.
“BE-ja kërkon nga të gjitha palët që t’i respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet dhe aranzhimet e arritura më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova edhe Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre”, ka thënë Stano.