Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se nesër, më 20.06.2026, do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore për vitin 2026, transmeton KosovaPost.
Siç njofton Ministria, në këtë test do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë Kosovën.
Për administrimin e testit, Ministria sqaroi se janë angazhuar nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve.
Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 13:30, ndërsa bëhet me dije se maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së voni në orën 09:00, për të përfunduar me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.
Siç theksohet në njoftim, testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të ketë gjithsej 100 kërkesa, pra pyetje dhe detyra, nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira; gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë nxënësit.
Ministria e Arsimit ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar.
“Çdo kandidat/e që konstatohet se posedon telefon ose pajisje tjetër elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo”, thuhet në njoftim.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u uroi suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.


























