Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët.
Abdixhiku bashkë me zyrtarë të tjerë të LDK-’së kanë kujtuar 113 heronjtë e Koshares dhe sakrificën e tyre mbi altarin e lirisë.
“Një çerek shekulli nga beteja e madhe e Koshares. Sot, me të gjallët triumfalistë, nderuam të rënët e përjetësisë. 25 vite më parë, në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare, nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar”, tha kryetari i LDK-së
Tutje theksoi ai se triumfi ushtarak i Koshares ishte më shumë se një thyerje muri, ishte rrugëtim për liri.
“Me këtë akt, ata nisën dhe një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të.Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët”, është shprehur Abndixhiku.