Presidenti i Turaisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe homologu i tij amerikan Joe Biden u takuan në margjinat e samitit të NATO-s në Madrid, transmeton Kosova Post.
Takimi zgjati gati një orë.
Përpara takimit me dyer të mbyllura, Erdogan tha se hapat që po ndërmerren për forcimin e NATO-s do të kenë një “kontribut të veçantë” në kontekstin e krizës Rusi-Ukrainë.
Lufta Rusi-Ukrainë ka pasur efekte negative në drithërat dhe naftën, tha presidenti turk, duke shtuar: “Ne po përpiqemi ta zgjidhim procesin me një politikë të balancuar në këtë drejtim. Shpresojmë që me këtë politikë të balancuar të marrim rezultate”.
Ai shprehu shpresën që së shpejti të hapen korridoret për vendet që aktualisht kanë mungesë të drithit.
Ndërkaq, Biden falënderoi presidentin Erdogan për përpjekjet e tij për të nxjerrë miliona tonë drithë nga Ukraina dhe për mbështetjen e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Në takimin Erdogan-Biden gjithashtu morën pjesë ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar, shefı i Komunikimeve pranë Presidencës turke Fahrettin Altun, zëdhënësi presidencial Ibrahim Kalın dhe shefi i shërbimit të inteligjencës Hakan Fidan./AA