Ish-deputeti i LDK-së, njëherësh anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi i ka dërguar një letër shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell përmes së cilës ka kërkuar heqjen e statusit kandidat të Serbisë, për shkak të mbështetjes që po i jep Rusisë në agresionin e saj ushtarak në Ukrainë.
“Është koha për Komisionin Evropian, dhe veçanërisht ju Zotëri, që të denonconi publikisht përkrahjen e Serbisë për Rusinë, dhe indeferencen e saj kundrejt interesave dhe vlerave të gjera perëndimore për të cilat BE qëndron. Një vend që nuk dëshiron ruajtjen e vlerave të tilla nuk duhet të ketë vend brenda familjes së BE-së. Prandaj, ‘statusi kandidat’ i Serbisë për anëtarësim në BE duhet të revokohet menjëherë. Heshtja e vazhdueshme ndaj Serbisë për këtë çështje është e barabartë me miratimin dhe qëndrimet pro-Ruse dhe antiBE”, ka shkruar ndër të tjera ish-deputeti i LDK-së.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që t’i ftojë pesë shtetet anëtare të BE-së (Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën) që ta njohin Kosovën.