Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci thotë se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur me forcë dhe të marrë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë. Ajo thotë se kërkesat e Kosovës në dialog janë të qartë duke theksuar se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë është e pamundur pa zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.
Nënkryetarja e Kuvendit thotë se Serbia nuk po ndërmerr asnjë hap drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me forcë, çka sipas saj, e bënë të vështirë që Kosova te ecë përpara me këtë proces.
“Për mua natyrisht që çështja e personave të pagjetur mbetet kyçe dhe përderisa Serbia nuk ndërmerr asnjë hap në këtë drejtim është goxha e vështirë që të ecim përpara, por edhe në të njëjtën kohë mendoj që është gabim t’i atribuohen Kosovës kritika që të në fakt elementet që nuk mund të shkojmë përpara ndërlidhen direkt me përgjegjësinë e Serbisë dhe duhet t’u bëhet presion më shumë dhe të njëjtën kohë të shikohet tamam si është realiteti, në kuptimin që Serbia në vazhdimësi sulmon Kosovën në forma të ndryshme, e pengon Kosovën për të ecë përpara në forma të ndryshme dhe të njëjtën kohë mundohet ta paraqesë veten si viktimë dhe duhet pa qartë kush është Serbia dhe në fakt çka duhet të bëjë Serbia”, thotë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Bogujevci thotë se pala serbe është ajo që e po e bllokon zbardhjen e kësaj çështjeje dhe thekson se duhet të shtohet presioni mbi Serbinë.
Bogujevci: Serbia të marrë përgjegjësi për krimet
“Vetëm duke e parë këtë elementin e çështjes së personave të pagjetur dhe qasja e Serbisë që ka në atë drejtim është shqetësuese, ende e luan rolin e viktimës, nuk jep asnjë përgjegjësi rreth kësaj, dhe tjetra, po kërkojmë gjëra konkrete, informata ku ne mundemi me ditë çka ka ndodhur me njerëzit tanë. […] Kërkesat tona kanë qenë të qarta, mbetët që presioni të bartet te Serbia, që Serbia të marrë përgjegjësi për krimin që e ka bërë por në të njëjtën kohë të hap rrugë që të dimë ku janë njerëzit tanë”, thotë Bogujevci.