Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se Kosova është prijëse në rajon sa i përket legjislacionit dhe trajtimit të viktimave të krimit sipas praktikave dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare.
“Sado që përpjekjet tona janë të vazhdueshme, megjithatë, jemi të vetëdijshëm se ende duhet punë dhe përkushtim nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar abuzimet, dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet e viktimave. Sot, ju duhet të jeni të vëmendshëm për të gjitha ato indicje që paralajmërojnë dhunë ndaj viktimave dhe që bëhen shqetësuese për opinionin publik. Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetues dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, tha Lumezi.
Këto deklarata kryeprokurori i bëri me rastin e fillimit të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit.
Lumezi shtoi se rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19 kishin ndikim kufizues dhe negativ në normalitetin tonë të përditshëm, por edhe përkundër vështirësive bëmë të pamundurën që shërbimet për viktimat të mos pushojnë për asnjë moment.
“Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1584 raste të viktimave në total, prej tyre 1396 ishin dhunë në familje. Ndërsa janë paraqitur edhe 445 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 36 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente. Në anën tjetër, shpresoj që sa më parë të ndodhë plotësim-ndryshimi dhe hyrja në fuqi e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, që do të krijonte qasje të menjëhershme në realizimin e të drejtës ligjore për kompensim për të gjitha viktimat, pa pasur nevojë të pritet deri në përfundim të procesit gjyqësor”, u shpreh Lumezi.
Kryeprokurori falënderoj Ambasadën e SHBA-ve dhe ODPAT-in për kontributin e dhënë në avancimin e të drejtave të viktimave gjatë këtyre viteve.
“Fakti që kjo javë organizohet në mbështetje të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe përkrahet nga miqtë e tjerë ndërkombëtarë, na jep të drejtë për të besuar se viktimat e krimit kanë partnerë dhe mbështetës të fuqishëm”, tha Lumezi.
Fjalimi i tij i plotë:
Është kënaqësi e veçantë që sot jemi së bashku në hapjen e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit. Pjesëmarrja e drejtueseve të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë në këtë ngjarje të rëndësishme është mesazhi më i mirë se të gjithë së bashku jemi në mbrojtje të viktimave të krimit.
Me lejoni që sërish të shpreh angazhimin tim të plotë në misionin e vazhdueshëm për forcimin e shtetit ligjor dhe t’ju inkurajojë të gjithë juve që të punoni me përkushtim dhe profesionalizëm për t’i mbrojtur të drejtat e viktimave të cilat janë të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbrohen nga shteti.
Gjatë këtyre viteve është mbështetur dhe fuqizuar Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, është caktuar Koordinatorja nacionale për rastet e dhunës në familje dhe koordinatorët nëpër prokuroritë përkatëse, janë caktuar prokurorët përgjegjës si pikë kontakti për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe prokurorët në të gjitha nivelet e prokurorive.
Këto janë disa nga veprimet e ndërmarra që dëshmojnë përkushtimin institucional që rastet e dhunës në familje, rastet kundër integritetit seksual si dhe luftimi i trafikimit me qenie njerëzore janë ndër prioritetet kryesore të punës së përditshme në kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.