Hajrullah Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur një konferencë për media, me ç’rast i ka shpalosur disa detaje nga programi qeverisës, për këtë sektor, raporton Kosova Post.
Çeku, paraprakisht, prezantoi ekipin e kabinetit të tij, për të cilët tha se do të jenë në dispozicion për të gjithë ata që kërkojnë përgjigje rreth çështjeve të cilat i mbulon ministria.
“Në fokus të politikës dhe reformës kulturore do të jenë institucionet kombëtare të kulturës dhe skena e pavarur kulturore. Do të angazhohemi për reformimin administrativ të institucioneve kombëtare të kulturës për të siguruar autonominë financiare dhe qëndrueshmërinë institucionale të tyre” – tha ndër të tjera Çeku, duke shpjeguar se qëllimi është që të fuqizohen e të fitojnë autonomi këto institucione.
Planifikohet, sipas tij, intervenimi në shumë objekte kulturore, por që sipas tij, do t’i kushtohet kujdes çështjes se kush do t’i kryej punët e intervenimit apo renovimit të këtyre objekteve:
“Ne nuk do të lejojmë që ato punë të kryhen nga kompani joprofesionale.”
Ndër të tjera ai tha se qeveria “do të angazhohet për edukimin artistik të të rinjve dhe zhvillimin e kuadrove profesionale në fushën e kulturës. Ndër nismat me interes të veçantë në kuadër të edukimit artistik është zbatimi i programit shkollor për pjesëmarrje të rritur dhe të rregullt të nxënësve në ngjarjet kulturore.”
I pyetur rreth asaj se pse në program ka shumë pak detaje në lidhje me atë se si do të menaxhohen sektorët e fushës së kulturës, ai tha se, përveç “Programit Qeverisës”, ministria e ka hartuar edhe “Planin e Veprimit” në të cilin gjenden të gjitha detajet, duke i nënkuptuar këtu edhe shumat e mjeteve të planifikuara për secilin sektor.
Sipas tij, logjika që e kanë ndjekur qeveritë paraprake, ka qenë e gabuar: “Subvencione për rininë, subvencione për rininë… ma shumë se sa me e mirëmbajt mjerimin, nuk ka prodhuar kurrfarë zhvillimi!”
Çeku në konferencë është pyetur edhe për letrën e dërguar Europa Nostra-s, rreth çështjes së Manastirit të Deçanit. Ai tha se janë në komunikim të vazhdueshëm dhe presin që ata t’i përgjigjen ftesës së Kosovës, për ta vizituar Kosovën dhe për të marrë informata nga dora e parë. Ai u shpreh i bindur se dëmi që ia kanë shkaktuar reputacionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, do të rregullohet./KosovaPost/